Transmetuar më 26-10-2021, 12:13

Mourinho nuk i përzgjedh fjalët, ai është plotësisht i hapur për shitjen e 5 lojtarëve, të cilët beson se nuk janë në nivelin e duhur për të luajtur me Romën. Ndër ta figuron edhe Marash Kumbulla, pavarësisht se verdhekuqtë luftuan fort për ta rrëmbyer talentin shqiptar te Verona për 20 milionë euro.

Antonio Cassano foli për këtë temë në “Bobo TV”: “Fjalët e thëna pas ndeshjes kundër Bodo Glimt nga Mou ishin shumë të rënda, shkatërruan përfundimisht Darboe, Kumbulla dhe Villar. Trajneri i Romës nuk do të mund të bazohet më tek ata, edhe kur të ketë nevojë”.

Nga ana tjetër, sa i përket skuadrës në fushë, ish-sulmuesi verdhekuq thumbon sulmin: “Roma bën pak punë në sulm, mua më pëlqen shumë Abraham, por duhet të shënojë më tepër. Pellegrini dhe Zaniolo po rriten vazhdimisht, po bëjnë shumë mirë, Mkhitaryan nuk është përshtatur ende me filozofinë e Mourinhos”.

Me siguri, Roma do të duhet të përmirësohet në shumë aspekte dhe trajneri portugez pret përforcime në merkaton e janarit. Megjithatë, Cassano nuk e ndal sulmin ndaj trajnerit portugez për deklaratën e fundit, kur tha se “drejtuesit kanë bërë një m*t me afrimet e lojtarëve të rinj”:

“Mourinho e ka ekzagjeruar me atë që tha për drejtuesit dhe në atë klub nuk t’i fal kush këto deklarata. Djemtë nuk mund të bëhen koka turku, nuk mund të presin deklarata të tilla nga Mourinho. Trajneri nuk mund të justifikohet me zëvendësuesit, rotacionin, sepse në 46 minuta ka aktivizuar Pellegrini dhe Abraham.

Jose i hodhi të gjithë djemtë në m*t, kur do t’i të duhen do të jetë i rrezikuar. Te Chelsea, te Reali dhe tek Interi kishte lojtarë të fortë dhe mund t’i përballonin kësi deklaratash. Po bën mirë te Roma, por këto deklarata janë shumë të tepruara ndaj këtyre djemve të rinj. Dhe mbi të gjitha në një klub si Roma ku, nëse mbërrijnë rezultatet, Mourinho është Zoti, nëse nuk mbërrijnë ato do t’i vihen të gjithë kundër trajnerit”.