Transmetuar më 26-10-2021, 09:42

Një fitore zemre, ajo e Milanit ndaj Bologna në “Dall’Ara”, e cila përveç tri pikëve dhe fitores së pestë radhazi në kampionat sjell me vete një tjetër “stacion” të rëndësishëm për Stefano Pioli.

Ai arrin kuotën e 100 stolave (ndeshjeve) në krye të Milanit, një moment historik që trajneri emilian nuk e kishte shijuar kurrë në karrierën e tij deri më tani.

Pioli nuk ia kishte dalë me Bologna ta prekte këtë shifër të trefishtë, mes viteve 2011 dhe 2014, duke u ndalur në 97 ndeshje. Madje as me Lazion nuk mbërriti deri këtu, nga viti 2014 deri më 2016, duke e mbyllur me 91 ndeshje.

Momente gëzimi në “Milanello”, kur çmimi iu dorëzua trajnerit. Paolo Maldini ndërhyri me këtë rast, duke përgëzuar Piolin: "Kanë kaluar dy vite nga ajo ndeshje Milan-Lecce më 20 tetor. Urime trajneri ynë, këto janë 100 ndeshjet e para të një numri që është e vështirë të thuhet se sa do të bëhen. Jemi shumë të lumtur me këtë moment kaq të rëndësishëm”.

Nuk vonoi përgjigjja e trajnerit për ekipin dhe stafin: "E gjitha falë jush. Nuk e di nëse dikush do ta marrë si kërcënim, por pres të bëj të paktën po aq".