Transmetuar më 26-10-2021, 09:05

Lorik Cana, sërish në një sport të pushtetarëve. Imazhi i tij vlen, bëhet më i besueshëm për diçka se ata që shqiptarët kanë votuar për të qeverisur. E ka bërë këtë me të gjitha qeveritë, në fakt, për evente të ndryshme, duke mos refuzuar të djathtëve e të majtë.

Kësaj here mund të jetë i justifikuar, sepse “lobon” për bërjen e vaksinës. Përmes një videoje, të shpërndarë nga ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ish-kapiteni kuqezi bën thirrje që njerëzit të vaksinohen:

“Mjeti më i mirë për ta përballur, për ta luftuar dhe për ta tejkaluar këtë pandemi do të ishte vaksina, tek e cila e gjithë bota besoj se i kishte sytë. Dua të jem 100%, le të themi i sinqertë, dhe dua të them që nuk kam pasur asnjëherë dyshime rreth efekteve të vaksinës apo rezultateve të vaksinës, pavarësisht a mbulon plotësisht apo mbulon akoma pjesërisht si vaksinë e parë që ka dalë.

Kam qenë gjithmonë i sigurt që vaksina është një mjet, i cili të ndihmon ty për t’u mbrojtur, por si prind kryesisht e kam bërë për të mbrojtur fëmijët e mi, por edhe prindërit e mi. Vaksinat tani janë një pjesë e përgjithshme e shoqërisë tonë, kemi lloj-lloj vaksinash.

Fëmijët tanë marrin lloj-lloj vaksinash, është faktori pse jetojmë më mirë, jetojmë më gjatë, jetojmë më të shëndetshëm dhe më të fortë. Kam qenë menjëherë i sigurt që ajo është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur njëherë të afërmit e mi e pastaj të gjithë shoqërinë tonë”.