Transmetuar më 25-10-2021, 22:37

Ishte derbi i parë që fitonte si trajner i Tiranës. Dikur ka mbrojtur portën e kuqe, madje në momente ekzistence për Partizanin, sonte i dha një goditje thuajse fatale te shanset për titull. Orges Shehi u shfaq pragmatist pas fitores 1-0, e cila konsolidoi kreun e Superiores me 14 pikë, pas javës së 6-të të kampionatit.

Për mikrofonin e “Supersport”, durrsaku u shpreh: “Ndryshuam mënyrë loje, pasi pamë Muratajn që i bashkohej treshes në sulm dhe nuk mund të rrezikonim, ndaj kaluam në rreshtimin 4-3-3. Na shkoi mirë dhe jam i kënaqur që ia dolëm të marrim fitoren.

Kemi kërkuar që mesfushorët të ngjiteshin më lart e t’u bashkoheshin sulmuesve, por nga rëndësia që ka derbi, primare është të marrësh masat mirë në fazën mbrojtëse. Kemi bërë disa lëvizje gjatë ndeshjes, duke ndryshuar pozicionet e lojtarëve. Do të mundohemi të shtojmë kualitetin, pasi në pjesën e dytë u tërhoqëm më shumë se duhet, por këto janë gjëra normale kur ka presion dhe kërkon të mos humbësh ndeshjen.

Në derbi nuk ka shumë spektakël, pasi nervat janë të tendosura dhe emocionet të shumta, ndaj jam i kënaqur me fitoren. Për të tjerat do shohim në vijim. Duhej ta luanim më shpejt topin, ta adresonim më shumë për Seferin sesa për Ngo’o, që ishte më i izoluar. Do të ishte mirë ta kishim mbyllur ndeshjen me një gol të dytë, por nuk ia dolëm.

A e nxorëm partizanin jashtë garës për titull? Unë mendoj se është ende herët të flasim për brenda apo jashtë luftës për titullin. Janë 7 skuadra të mëdha, shumë të rëndësishme janë fitoret në ndeshjet direkte, por është herët të nxjerrim nga loja Partizanin”.