Transmetuar më 25-10-2021, 15:00

Antonio Conte do të ishte i gatshëm të diskutonte për një marrëveshje me Manchester United. Pas tabloidëve anglezë, tashmë është “The Guardian” që e lakon emrin e ish-trajnerit kampion të Juventusit, Chelsea dhe Interit për stolin e “Djajve të Kuq”.

Kujtojmë se këto të fundit janë përfshirë në krizë rezultatesh, çka kulmoi dje me humbjen shokuese 5-0 në shtëpi, ndaj Liverpool. Për pasojë, pozicioni i Solskjaer është më në dyshim se kurrë.

Sipas gazetës britanike, disa burime nga dhoma e zhveshjes së Manchester United kanë ngritur dyshime për aftësitë menaxhuese të Solskjaer, pas turpërimit 5-0 të së dielës në “Old Trafford”.

Lojtarët me peshë te “Djajtë e Kuq” e shohin atë taktikisht zhgënjyes, por trajneri norvegjez pëlqehet nga legjendat e klubit dhe drejtuesit, sepse e njeh mirë AND-në e Manchester United dhe iu kushton vëmendje e hapësirë të rinjve.

Pra, shihet si pjesë e një projekti, jo sot për nesër. Skuadra e tij, megjithatë ka grumbulluar vetëm një pikë në 4 ndeshjet e fundit të Premier League. Pronari i klubit, Joel Glazer, jeton në Florida. Çdo vendim për shkarkimin ose konfirmimin e Solskjajer pritet të arrijë në orët e vona të pasdites.

Sipas “The Guardian”, Antonio Conte, i cili u largua nga pankina e Interit një vit para skadimit të kontratës së tij, ende nuk ka pasur ndonjë kontakt zyrtar me Manchester United. Edhe nëse nuk i ka pëlqyer kurrë të marrë frenat e një skuadre në vijim të sezonit, ai do të bënte një përjashtim për Manchester United, sepse e sheh si një mundësi të veçantë për të bërë mirë.

Natyrisht, Conte do të donte të kuptonte vizionin e drejtuesve të klubit përpara se të angazhohej në “Old Trafford”.