Transmetuar më 25-10-2021, 14:25

Në një zonë të stadiumit “Corregidora”, në Meksikë, që ndodhet në pjesën e poshtme të strukturës qendrore, “Querétaro Fútbol Club” ka përshtatur një hapësirë ​​me 16 vende për tifozët që duan t’i shikojnë ndeshjet e ekipit të zemrës bashkë me qentë apo macet e tyre.

Kjo risi është inauguruar në ndeshjen e “Apertura”, që vendësit e fituan 1-0 ndaj Rayados de Monterrey. Në një segment të objektit sportiv janë vendosur dritare të tejdukshme, që reduktojnë zhurmën. Kjo bëhet për të siguruar qetësinë e kafshëve shtëpiake si spektatorë në stadium.

Çdo kabinë ka një kapacitet prej katër personash dhe dy kafshë me trup të mesëm. Zona e përshtatshme për kafshët shtëpiake ka facilitete të tjera për sigurinë e miqve me katër këmbë, teksa pronarët e tyre shkojnë në bar ose në banjë.

Përshtatja e hapësirës së stadiumit u bë nga kompania “Mars Petcare México”, e cila do të kujdeset për gjithçka me personel të specializuar e të përgatitur për të pritur kafshët e dashura shtëpiake.

Kreu i çështjeve të korporatave të “Mars Pet Nutrition México”, Román Delgado, shpjegoi se kjo pjesë e stadiumit ka gjithashtu dy zona pushimi dhe banjo për qentë dhe macet. Operatorët e kompanisë i presin kafshët sapo mbërrijnë, në një parking të posaçëm dhe më pas i shoqërojnë në vendin e caktuar.

Kafshët shtëpiake që marrin pjesë në një ndeshje në “Corregidora” duhet të plotësojnë disa kërkesa, duke përfshirë kryerjen e të gjitha vaksinimeve, të shoqërohen nga një i rritur dhe të kalojnë një test sjelljeje.