Transmetuar më 25-10-2021, 11:34

"Nuk e di nëse duhet ta quaj penallti, por situata e djeshme sigurisht që e prishi pak ndeshjen. Nuk mendoj se kishte një faull kaq të dukshëm sa për ta përmbysur në mënyrë dramatike lojën".

Kështu thotë ish-presidenti historik i Interit, Massimo Moratti, në mikrofonat e “Radio Anch’io Sport”. Ai u ndal kryesisht te penalltia e akorduar mbrëmë nga arbitri Mariani në favor të Juventusit, e shndërruar në golin e barazimit 1-1 nga Dybala:

“Në parim, gjyqtarët i lejojnë skuadrat të luajnë, gjë që ndonjëherë nuk ndodh, si në Bologna-Milan, ku kishte dy faulle dhe dy përjashtime nga fusha. Ashpërsia me të drejtë ndëshkohet, por të luajturit me dy lojtarë më pak mund të ndryshojë totalisht lojën.

Edhe penalltia e djeshme ndaj Interit e ndryshoi lojën. E habitshme, sepse tani kemi një mal penalltish nga mëngjesi në mbrëmje. Mendoj se Interi është shumë i ndryshëm nga sezoni i kaluar, të jep përshtypjen e një ekipi që argëtohet dhe luan mirë. Sidoqoftë, nuk ka vetëbesimin e sezonit të kaluar.

Diferenca midis Conte dhe Inzaghi? Conte dëshmoi se fiton, Inzaghi është krejtësisht i ndryshëm. Ai mori një përgjegjësi të madhe. A do të jetë derbi pikë kthese? Interi në pjesën e parë kundër Juves luajti një ndeshje të mrekullueshme.

Nga pikëpamja e lojës, nëse arrin të shënojë më shumë, mund të regjistrojë statistika mjaft të mira. Fitimi i derbit do të ishte shumë i rëndësishëm. Karakteri i skuadrës po formohet. Interi i ka të gjitha mjetet për të fituar sërish.

José Mourinho? Po përpiqet t’ia dalë, e kishte paralajmëruar tashmë se skuadra që ka në dispozicion nuk është e plotë. Një “shuplakë” si ajo e së enjtes (6-1 në Konferencën e Ligës kundër Bodo-Glimt) askush nuk mund ta priste. Edhe vetë Jose mendoj se ka mbetur totalisht i habitur. Ia doli psikologjikisht, sepse luajti mirë kundër Napolit”.