Transmetuar më 25-10-2021, 10:02

Ndeshja në “Old Trafford” mes Manchester United dhe Liverpool u mbyll me fitoren e thellë 5-0 të miqve. Në fakt, mendohej të ishte një nga supersfidat më interesante të ditës së djeshme, por rezultati nuk u duk asnjëherë i ekuilibruar, me dy gola avantazh lojtarët e Jurgen Klopp pas vetëm 13 minutash lojë.

Nëse reagimi i Manchester United ishte i zbehtë, ai i Cristiano Ronaldos ishte i tepruar pak para përfundimit të pjesës së parë. Edhe pse më shumë se reagim i lojës ishte një nervozizëm, ai i portugezit, i cili bëri një gjest vërtet të shëmtuar, i dha atij kartonin e verdhë.

Në minutën e fundit të pjesës së parë pati një përplasje midis CR7 dhe Curtis Jones, që pothuajse degjeneroi në luftë. Portugezi e goditi me këmbë, edhe pse i shtrirë në tokë, mesfushorin e Liverpool. Jones reagoi fort, teksa në sherr u përfshinë edhe Van Dijk e Bruno Fernandes.

Pati shtyrje tepër nervoze nga të dyja anët, derisa arbitri rivendosi qetësinë në fushë dhe më pas fishkëlleu për mbylljen e pjesës së parë. E dyta pa në fushë vetëm “Reds”, të cilët e tronditën keqas Manchester United në shtëpi, duke e mundur thellë 5-0.

Reagimi i CR7 erdhi për humbjen, por asnjë fjalë ndjese për agresionin ndaj kundërshtarit. "Ndonjëherë rezultati nuk është ai për të cilin luftojmë. Ndonjëherë rezultati nuk është ai që duam. Dhe kjo lidhet me ne, vetëm me ne, sepse nuk ka asnjë tjetër për t’u fajësuar, – shkroi ylli portugez në një postim në Instagram.

– Tifozët tanë ishin, edhe një herë, të mahnitshëm me mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Ata meritojnë më mirë se kaq, shumë më mirë. Na takon neve t’ua ofrojmë atë që duhet. Koha është tani!"