Transmetuar më 25-10-2021, 08:25

Interit i iku fitorja nga duart “in extremis”, me penalltinë e Dybala që barazoi gjithçka 1-1. Një "Derby d’Italia" shumë i luftuar dhe i balancuar, zhbllokuar pas çerek ore me golin e Edin Dzeko.

Duke folur në mikrofonat e DAZN, Simone Inzaghi analizoi ndeshjen e “San Siro” kundër Juventusit: "Penalltia? Mendoj se ishte mënyra e vetme e Juventusit për të na shënuar gol. Na vjen keq, sepse e udhëhoqëm lojën nga fillimi deri në fund.

Janë 2 pikë të çuara dëm dhe nuk më vjen aspak mirë. Arbitri ishte aty, 2 metra larg aksionit, e pa rastin dhe tha se gjithçka ishte në rregull. Më pas është thirrur nga VAR-i. Më vjen keq për tifozët tanë, që na mbështetën fort për 95 minuta, edhe për paraqitjen e ekipit.

Ne kurrë nuk u futëm në telashe dhe ia dolëm mirë. Pastaj shpërthimi im ndaj gjyqtarit dhe pezullimi me karton të kuq. Pata shumë keqardhje. Dumfries, mund të ishte më i kujdesshëm? Edhe unë mendoj kështu, sepse ishim në epërsi numerike pranë topit.

Kartoni i kuq? Unë po bëja zëvendësimin me Vecino, e pata fanellën në dorë. Gabova me shpërthimin, por pasi arbitri gaboi dy metra larg aksionit. Në pjesën e parë ushtruam presion dhe ia dolëm.

E dinim që Juventusi kishte mundësinë të hidhte në fushë lojtarë si Chiesa dhe Dybala, shumë të rrezikshëm. Në pjesën e dytë ishim më të shkurtër, por i lejuam zero mundësi një ekipi shumë të fortë. E meta e vetme sonte është rezultati, i cili na penalizon rëndë. Zëvendësimi i Perisic? Në fund të pjesës së parë bëri masazh, sepse kishte një problem lëndimi".