Transmetuar më 24-10-2021, 18:09

Përleshje në stadium mes tifozëve dhe babait të futbollistit.

Një situatë e paprecedentë por edhe e rëndë ka ndodhur në stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës, teksa luhej ndeshja Naftëtari – Flamurtari, e vlefshme për javën e pestë të Kategorisë së Dytë, grupi B.

Në pjesën e dytë, vlonjatët udhëhiqnin me rezultatin 0-1 dhe tifozët e Naftëtarit nisën të kritikonin lojtarët e tyre për lojën e dobët.

Në tribunë ishte edhe babai një prej futbollistëve të ekipit të Kuçovës, i cili ishte edhe protagonisti i një ngjarje të acaruar. Fillimisht babai i sulmuesit Samuel Vrapi, kundërshtoi ofendimet ndaj të birit duke nisur të debatoi me një prej tifozëve.

Sapo pa të atin të konfliktohej sulmuesi Vrapi shkoi drejt tribunës duke kërcënuar tifozin, duke detyruar arbitrin t’i tregonte kartonin e kuq për të riun, me policinë që tentoi të qetësoi situatën.

Në dalje të stadiumit, Vrapi priti tifozin të dalë dhe tentoi për ta goditur. Situata u parandalua nga efektivët e policisë, të cilët shoqëruan për në komisariat sulmuesin, të atin dhe tifozin e konfliktuar. Me dhjetë lojtarë dhe tensione në ekipin e Kuçovës, Flamurtari fitoi lehtësisht 0-3.