Transmetuar më 23-10-2021, 15:05

Nuk është një ndeshje si të tjerat. Inter-Juve mund të shënjojë një sezon të tërë. Simone Inzaghi e di këtë, ndaj e nënvizoi në konferencën për shtyp, në prag të derbit të nesërm të Italisë:

“Kampionati sapo ka filluar, sigurisht që do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, me dy skuadra të forta dhe konkurruese. Ne luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë. Si skuadër e dimë mirë se çfarë përfaqëson kjo sfidë.

Allegri tha se Interi është më i forti dhe më favoriti edhe për titullin? Më vjen mirë, e respektoj shumë. Është e qartë se mund të thuhet e njëjta gjë për Napolin, Milanin, Juven, Romën, Lazion. Do të jetë një kampionat emocionues, ku Interi im do të jetë protagonist.

Nesër do të jetë një ndeshje e rëndësishme, pavarësisht nga tri pikët në lojë. Pas disfatës në Romë kemi folur shumë me djemtë, që mbetën shumë të zhgënjyer. Na duhej një shpagim i menjëhershëm dhe të martën reaguam ndaj Sheriff Tiraspol në Ligën e Kampionëve.

Nuk ishte një ndeshje e thjeshtë dhe e lehtë, ndaj një ekipi të organizuar. Më pëlqeu mënyra e reagimit pas disfatës në kryeqytet. Situata me dëmtimet? I vetmi i padisponueshëm për nesër është Correa, ai po stërvitet veçmas dhe do të përpiqemi ta bëjmë gati për Empolin”.