Transmetuar më 22-10-2021, 13:50

Përditësuar/ Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit ka rekomanduar vënien në protokolle të dozës së tretë (booster) të vaksinës kundër kovidit në Shqipëri. Kjo kërkesë është pranuar sot nga KTE, strukturë po ashtu në varësi të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Komiteti Teknik i Ekspertëve tha se ka marrë vendimin pas shqyrtimit të rekomandimit të komitetit të vaksinimit.

Komiteti ka vendosur që qytetarët mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë, jo më herët se 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë, duke filluar nga data 1 nëntor 2021”

Po ashtu, Komiteti Kombëtar i Vaksinimit kishte rekomanduar uljen e fashës së grupmoshës për vaksinimin +16 vjeç. Ky komitet kërkonte që të miturit nga mosha 16 vjeç deri në 18 vjeç të vaksinohen. Për këtë grupmoshë këshillohej vaksina Pfizer.

Komiteti po ashtu ka rekomanduar dhe vaksinimin për të miturit nga mosha 12 deri në 16 vjeç, por vetëm për ata fëmijë të cilët kanë problematika shëndetësore.

Këto rekomandime janë diskutuar ditën e sotme në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve” i cili ka përfunduar mbledhjen dhe doli në orën 14 para mediave, raporton noa.al. Asnjë nga këto dy opsione për vaksinimin e të miturve, nuk është kthyer në vendim.

Komiteti Teknik i Ekspertëve tha se nuk ndryshojnë masat në fuqi si shtetrrethimi dhe kufizime të tjera. /noa.al

Masat antikovid që janë aktualisht në fuqi:

–Ora policore nga 23:00-06:00. –Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: 1.Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të ketë të paktën dy javë. 2.Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve. 3.Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

–Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituar, duhet të vetizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

–Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

–Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave.

–Vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 miië lekë.

Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.