Transmetuar më 21-10-2021, 09:49

Plasin intrigat dhe thashethemet në ‘Big Brother VIP’.

Shtëpia më e famshme në Shqipëri, ajo e “Big Brother”, hapi dyert pak javë më parë për banorët më të rinj, të cilët në këtë sezon nuk janë njerëz të panjohur, por VIP-a të fushave të ndryshme nga arti, muzika, kinematografia apo modelingu.

Publiku i njeh ata vetëm nga ana profesionale dhe shumë pak dinë në lidhje me jetën e tyre private. Ata shumë pak dinë se si yjet janë në përditshmërinë e tyre, se si është sjella e tyre jashtë ekranit televiziv.

Pritshmëritë për banorët VIP janë më të mëdha se sa të ishin njerëz të thjeshtë brenda kësaj shtëpie madhështore. Publiku pret që yjet të jenë më të qetë, më të edukuar apo të dinë të diskutojnë për tema të ndryshme. Ata nuk presin që banorët e njohur të jenë thashethemexhinj apo që të thurin intriga.

Por në fakt edhe këto të fundit po ndodhin brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, ku banorët fillimisht u dukën të qetë dhe të mirëkuptueshëm me njëri-tjetrin, por më pas gjërat ndryshuan.

Thashethemet filluan që në javën e parë, ndërsa intrigat dhe debatet nisën pak më vonë dhe ishin mjaft të ashpra. Duket se për të pasur sa më shumë vëmendjen e publikut, yjet po kërkojnë që të nxjerrin dikë keq dhe të fitojnë pikë për vete.

Madje gjatë një loje ku banorët kishin në dispozicion disa fjalë dhe duhej që me ta të përkufizonin njëri-tjetrin, shumica votuan se ato që bënin më shumë thashetheme, intriga dhe ishin manipuluese ishin Paloma dhe Monika.

Nga ana tjetër, teksa ditët kalojnë, ata gjithashtu edhe krijojnë më shumë shoqëri me njëri-tjetrin, por jo me të gjithë. E dalëngadalë fillojnë duke u krijuar edhe “grupet e bashkëpunimit”, ku gjatë debateve të ndryshme ata tregojnë se anën e kujt mbajnë.

Më poshtë janë disa nga debatet më të forta të ndodhura deri tani brenda shtëpisë së “Big Brother Vip”:

“A je gay?”/ Paloma vë në siklet Arditin për orientimin e tij seksual, banorët “shpërthejnë” kundër saj

Një ndër pyetjet e publikut që iu bënë Ardit Çunit në shtëpinë më të famshme në fillim të kësaj jave ishte: “A të pëlqejnë më shumë çunat apo gocat?”.

Arditi iu përgjigj: “Kam përshtypjen që kjo goca duhet të jetë profil çuni, kështu që ‘skip’. Dihet tashmë çfarë pëlqej, kështu që mund t’ia tregoj në një vend tjetër, në një moment tjetër”.

Por kjo përgjigje nuk i ka mjaftuar Palomës, e cila për tri ditë me radhë iu “qep” Arditit dhe i bënte të njëjtën pyetje, duke tentuar të nxjerrë diçka nga konkurrenti. Mirëpo, ditën e djeshme, diskutimi mes tyre agravoi në debat të ashpër dhe Paloma nuk u përmbajt fare.

“Ti je gay?”,– e pyeti Paloma, duke bërtitur me zë të lartë, ndërkohë që Arditi ia ktheu: “Po deshe, ta provoj”. Kjo nuk i pëlqeu aspak gazetares, e cila e konsideroi “turp” mënyrën se si iu kthye Çuni.

“Nuk dua të zgjatem se nuk dua t’i jap më shumë frymë një gjëje që nuk më intereson. Unë ia kam bërë shumë të qartë Palomës një ditë, dy ditë, dhe videot e tregonin shumë qartë që e kam diskutuar dhe ajo që nuk më pëlqen është që unë me Palomën kam patur më shumë konfidenca se me çdo banor tjetër në shtëpi.

Një ditë të bukur Paloma ndryshon sjellje vetëm për të përmbushur objektivat në kokën e saj, por ka gjetur personin e gabuar, sepse më shohin sytë në të katërta anët e shtëpisë. Kam një intuitë që nuk më gabon dhe Palomën që kur e hap gojën, deri më sot e kuptoja menjëherë ku donte të dilte dhe nëse kishte një pyetje për të ma bërë le të vinte të ma bënte direkt, sepse unë jam shumë i hapur përsa i përket kësaj pjese. Kam hasur komente të tilla edhe më përpara.

Nuk ka asgjë të gabuar në këtë mes. Unë jam një mashkull që e mbaj veten, kujdesem për veten, kurohem për veten. Dhe normalisht i pres edhe komente të tilla dhe nuk më bëjnë përshtypje, sepse jam shumë në rregull me veten. Unë e kam thënë se kush jam, i kam shprehur pëlqimet e mia”, tha Çuni gjatë spektaklit të së martës.

Pavarësisht argumenteve të Palomës se nuk e ka bërë me tendencë këtë pyetje ndaj Çunit, banorët e tjerë mendonin njëlloj si Arditi dhe e kundërshtuan Palomën.

I tregoi gishtin e mesit, tensionet situata mes Ilirit dhe Semit/ Donaldi: Ti i ke drejtuar asaj batuta seksuale. Banorët përpiqen të ”qetësojnë gjakrat”

Një situatë e pakëndshme ka ndodhur mes Ilirit dhe Semit disa ditë më parë. Iliri ka qenë duke biseduar me Donaldin veçmas, ndërsa Semi insistoi për tu bërë pjesë e këtij diskutimi mes tyre. E gjithë ky debat u finalizua me një gjest nga ana e Semit, teksa i drejtoi Ilirit ‘’gishtin e mesit’’.

Iliri nuk e ka pritur mirë këtë veprim, teksa e quajti këngëtaren të paedukatë dhe e paralajmëroi se nuk do ta harronte kurrë si veprim.

Kjo përballje u ripërsërit edhe gjatë spektaklit të ditës së martë kur Semi tha: “Iliri e ka tepruar disa herë me batutat kundrejt meje dhe unë i kam marrë gjithnjë me shaka. Edhe gjesti im ishte totalisht me shaka”.

Nga ana tjetër, në këtë debat ndërhyri edhe Donaldi i cili u shpreh se e gjithë kjo situatë është ekzagjeruar nga ana e Ilirit. Nga ana tjetër ka qenë Iliri që ka hedhur drejt Semit batuta dhe shikime seksuale, gjeste të cilat janë pranuar me shumë sportivitet nga ana e Semit.

Pas përfundimit të spektaklit, debati mes Ilirit, Semit dhe Donaldit është finalizuar me shkëputje komunikimi ndërmjet këtyre banorëve. Të gjitha palët janë përpjekur të sqarojnë qëndrimet e tyre te miqtë e tjerë.

Shumica prej banorëve kanë shprehur mospëlqim për gjithë situatën e pakëndshme të krijuar. Për të ndryshuar këtë atmosferë, gjithsecili prej tyre është përpjekur të pajtojë protagonistët e debatit, në mënyrë të tillë që t’i rikthehen normalitetit.