Transmetuar më 21-10-2021, 08:44

Tashmë është zyrtare. Barça ka përmbyllur rinovimin e Ansu Fati. Sulmuesi i stërvitur në “La Masia” konfirmoi zgjatjen e kontratës së tij, që do ta lidhë me Barcelonën deri më 30 qershor 2027.

Trashëgimtari i Leo Messit (mori fanellën me numrin 10 të yllit argjentinas) nënshkroi kontratën e tij të re të mërkurën në zyrat e klubit, pasi përfundoi ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Dynamo Kiev.

Me këtë kontratë të re, Ansu Fati do të shohë rritjen e pagës së tij, gjithashtu edhe klauzolën e përfundimit para kohe të marrëveshjes. Klubi katalanas e ka bërë zyrtare se Fati do të ketë të njëjtën klauzolë përfundimi të kontratës si Pedri, i cili rinovoi të premten e kaluar: 1 miliard euro.

Kjo shifër stratosferike lejon Barçën që ta “blindojë” një nga yjet e saj të rinj më premtues për pesë vitet e ardhshme. Sot, klubi do ta zyrtarizojë aktin e rinovimit, i cili, ashtu si i Pedrit, do të jetë me bujë të madhe.

Blaugrana-t duan ta festojnë me stil rinovimin e të rinjve të ardhur nga “La Masia”, të cilët i konsiderojnë si bazën e Barçës së të ardhmes.