Transmetuar më 20-10-2021, 10:12

Një studim i pavarur, i porositur nga UEFA, kuantifikon pasojat e ndryshimit të propozuar në kalendarin ndërkombëtar të futbollit, që FIFA do të vendosë në tryezën e diskutimit nga dita e sotme.

Për UEFA-n, ideja e Gianni Infantino për një Kupë Bote çdo dy vite rrezikon një humbje të madhe parash. FIFA e ka zbuluar projektin e saj qysh në shtator. Ndërkohë, përmes video-konferencës, presidentët e 55 federatave të UEFA-s u njohën me përfundimet e këtij studimi të kryer nga agjencia angleze “Oliver & Ohlbaum”, që tregon për humbje prej 3 miliardë eurosh në katër vjet.

Arsene Wenger, kreu i FIFA-s për zhvillimin e futbollit, flet për lojëra interesante dhe një orar efikas. Kampionati Europian dhe garat e tjera ndërkombëtare, të organizuara nga Konfederatat Kontinentale, gjithashtu do të zhvilloheshin çdo dy vite.

Qëllimi është që të zvogëlohen udhëtimet. Sidoqoftë, e gjitha kjo mund të reduktojë të ardhurat nga të drejtat televizive dhe marketingu, duke i grupuar ndeshjet dhe vënë në dyshim, për shembull, turnetë e tjerë si Liga e Kombeve.

Në rastin e një “dritareje” të vetme kualifikimi, skuadrat e dobëta do të gjendeshin pa një ndeshje ndërkombëtare për gjashtë muaj, gjë që mund të paraqesë probleme sportive. Futbollistët mund të kalojnë vite duke luajtur pandërprerë në Europian dhe Kupën e Botës.

Studimi i kompanisë angleze analizon vetëm pasojat e trazirave të mëdha në kalendarin ndërkombëtar për federatat anëtare të UEFA-s. Ajo lë të kuptohet edhe "efektin domino" për kampionatet kombëtare.