Transmetuar më 20-10-2021, 10:23

Britani e Madhe – Një nënë beqare e cila po shkonte të merrte të birin nga shkolla, ka humbur durimin kur disa protestues kishin bllokuar rrugën. 34-vjeçarja, Sherilyn Speid, është filmuar teksa dilte nga makina e saj luksoze “Range Rover Velar” për të demonstruar me aktivistë të Britanisë së Madhe pasi i duhej të merrte djalin e saj 11-vjeçar.

Kur aktivistët kanë refuzuar në mënyrë të ashpër për të hapur rrugën dhe kanë qeshur me të, ajo duket se ka humbur durimin, shkruan “The Sun”. Si pasojë, 34-vjeçarja është rikthyer në makinën e saj dhe ka nisur që të ecë, në përpjeke që t’i hapnin rrugën.

Siç shihet nga pamjet, personat e ulur në mes të rrugës nuk janë ngritur që të largohen nga aty, deri në momentin që Speid nisi të ecte me “Range Rover”-in.

Lidhur me këtë ngjarje që bëri bujë në media, Sherilyn ka folur për “The Sun”, ku është shprehur: “Kur zbrita nga makina, u afrova tek ata dhe u thashë me mirësjellje: ‘A mund të largoheni nga rruga sepse më duhet të marr djalin në shkollë dhe unë duhet të shkoj në punë”.

Por sipas saj, një grua ka qenë shumë e vrazhdë me të dhe i ka thënë: “Po, të gjithë duhet t’i çojnë fëmijët në shkollë”. 34-vjeçarja ka shtuar se më pas gruaja në fjalë i kishte thënë se “nuk do të lëviznin”.

E ka qenë pikërisht kjo që e ka bërë Speid që të humbasë durimin, duke e bërë që të rikthehet te makina dhe t’i kthehet turmës në mënyrën më të gabuar.

“Kështu që hipa në makinën time dhe u ngjita tek ata. Por unë nuk i godita, thjesht i shtyva ngadalë gjatë rrugës. Ishte një taktikë e frikës. Mendova se ata do të lëviznin, por ata nuk bënë kështu”, ka treguar nëna e një djali.