Transmetuar më 18-10-2021, 16:07

Një burrë i dyshuar për organizimin e fluturimit që transportoi futbollistin Emiliano Sala, i cili vdiq me rrëzimin e avionit më 2019, u gjykua dhe u deklarua fajtor këtë të hënë (18 tetor) në Cardiff, kryeqytetin e Uellsit.

David Henderson, 66 vjeç, pranoi disa nga akuzat me të cilat përballet, përfshirë mënyrën e pamatur ose të pakujdesshme me të cilën veproi, gjë që mund të ketë rrezikuar aeroplanin në të cilin ish-futbollisti Sala po udhëtonte.

Ai akuzohet gjithashtu për transport të një pasagjeri pa autorizim të vlefshëm. Henderson u deklarua fajtor për akuzën e fundit, e cila nuk do të debatohet gjatë gjykimit të mëtejshëm. Aeroplani i vogël privat, në bordin e të cilit ishin futbollisti argjentinas dhe piloti 28-vjeçar, David Ibbotson, u rrëzua në kanalin anglez më 21 janar 2019.

Sulmuesi i FC Nantes po i bashkohej Cardiff City, ku po transferohej për 17 milionë euro. Trupi i lojtarit, zhdukja e të cilit kishte tronditur botën e futbollit, u gjet brenda mjetit fluturues më shumë se dy javë pas aksidentit, në një thellësi ujore prej 67 metrash.

Man Goes On Trial Over Plane Death Of Footballer Emiliano Sala

Në raportin përfundimtar, të publikuar në mars 2020, Byroja Britanike e Hetimit të Aksidenteve të Aviacionit (AAIB) vlerësoi se piloti humbi kontrollin e avionit, një “Piper PA-46 Malibu”, gjatë një manovre të kryer me shpejtësi shumë të madhe.

Me siguri, ai kishte për qëllim shmangien e motit të keq në mënyrë që të ishte në gjendje të vazhdonte fluturimin. Avioni ishte me shpejtësi prej 270 milje në orë (435 km/orë) në kohën e goditjes me ujin, sipas AAIB, duke përjashtuar çdo shpresë për mbijetesë.

Hetuesit, gjithashtu besojnë se piloti ishte helmuar me monoksid karboni nga sistemi i shkarkimit të motorit të avionit. Po kështu, ata gjithashtu theksuan se fluturimi nuk u krye në kushte që përputhen me rregullat e fluturimeve komerciale.

Piloti nuk ishte i licencuar për të fluturuar me këtë lloj avionic, sidomos natën dhe në kushte të vështira moti. Fluturimi u caktua nga piloti britanik, David Henderson, me kërkesë të ndërmjetësit Willie McKay dhe djalit të tij Mark, agjenti i caktuar nga FC Nantes për të kryer transferimin e Sala.