Transmetuar më 17-10-2021, 23:20

Në 18 bashki ku janë shpallur partitë fituese, gjysmën e tyre i ka fituar Partia e minoritetit serb, raporton noa.al duke cituar të dhënat nga Komisioni Qendror Zgjedhorm

Sipas rezultateve preliminare të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në ora 22:15, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tri dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.

Kështu, kemi rezultate të qarta në 18 komuna, kurse pritet raund i dytë zgjedhjesh me balotazh, në 13 basjki të tjera. Rezultati është ende i paqartë në shtatë komuna.

Balotazhin e kanë shmangur komunat: Deçan (AAK), Kaçanik (PDK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Rahoveci (AAK) Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaji (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe).

Ndërkaq, në balotazh do të jenë: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitija (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (KDTP-KATP).

Rezultati është ende i paqartë në komunat: Skenderaj (PDK-Bekim Jashari), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Obiliq (IQO-LVV), Gllogovc (PDK-DD), Istog (LDK-AA), Fushë Kosovë (LDK-LVV) dhe Shtime (PDK-LVV).Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar në zgjedhje lokale është rreth 43 për qind.

Ndërkaq në zgjedhjet komunale të vitit 2017 përqindja ishte 43.5 për qind. Këto ishin zgjedhje të rregullta lokale dhe të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në këto zgjedhje, për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë. Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.

Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Të dhënat e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së përfshijnë vetëm votat e rregullta dhe jo ato me kusht dhe nga jashtë Kosovës.

Rezultatet mund t’i ndiqni drejtpërdrejt në KËTU