Transmetuar më 17-10-2021, 19:18

Pas largimit të KFOR, serbët sulmjnë me granata pikën kufitare të Jarinjës në Kosovë.

Efektivët e policisë kufitare dhe doganierët e Kosovës në pikën e Jarinjës janë sulmuar me granata pasditen e së dielës, pak orë pasi nga kjo zonë u tërhoqën ushtarët e KFOR-it.

Siç njofton agjencia e lajmeve KosovaPress ka dëme materiale në postën kufitare, por ende nuk ka raportime për të lënduar.

Sipas raportimeve, granata është hedhur nga territori i Serbisë.

Pika kufitare e Jarinjës ishte njëra prej dy pikave të bllokuara nga serbët gjatë protestave kundër reciprocitetit të targave. Serbët bllokuan rrugën që të çon në Jarinjë me kamionë dhe kërkuan tërheqjen e forcave speciale të Kosovës që u vendosën atje për të mbrojtur doganierët dhe policinë kufitare.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës shkaktoi reagimin e Serbisë që kërcënoi me afrimin në kufi të ushtrisë, tankeve, avionëve dhe helikopterëve ushtarakë. Kriza u zgjidh me ndërmjetësimin e Brukselit ku palët ranë dakord që të mbulonin targat përkatëse deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme brenda gjashtë muajve.

Pjesë e marrëveshjes ishte heqja e kamionëve nga rrugët nga ana e serbëve, tërheqja e policisë speciale të Kosovës dhe marrja e në dorëzim për ruajtjen e pikës kufitare nga ana e forcave të KFOR. Këto të fundit u tërhoqën vetëm sot nga kjo pikë.