Transmetuar më 16-10-2021, 15:28

Benzema, Messi, Jorginho, Lewandowski… Gara për “Topin e Artë” ka filluar dhe Cristiano Ronaldo aspiron për çmimin e tij të gjashtë. Ai tashmë e fitoi me Manchester United më 2008, pastaj me Real Madridin më 2013, 2014, 2016 dhe 2017.

“Hat-trick” i shënuar kundër Luksemburgut (5-0) mund të shërbejë si një pikë kthese. Në vitin 2013 ai tashmë përjetoi diçka të ngjashme me tregolëshin e tij në Suedi (2-3), në “play-off” për “Brazil 2014”. I tillë ishte recitali i tij, sa FIFA dhe “France Football” zgjatën periudhën e votimit dhe CR7 (1.365 vota) përfundoi duke mposhtur Messin (1.205) dhe Ribéry (1.127).

Cristiano, 36 vjeç, mbetet i pangopur: "Unë gjithmonë dëshiroj gjithnjë e më shumë. Kjo është në ADN time. Kurrë nuk jam i kënaqur, kurrë nuk dorëzohem dhe luftoj për gjithçka që mund të arrij", – tha ai pasi arriti “hat trick” e 58-të kundër Luksemburgut, i dhjeti me Portugalinë. Askush nuk ka më shumë.

“Topi i Artë”, që do ta shpallë “France Football” më 29 nëntor, është sfida e tij e radhës. Ai ka shumë merita dhe një CV të pacënuar: shtatë titj kampioni kombëtar, pesë Liga Kampionësh, një Kampionatin Europian, një Ligë Kombesh, pesë “Topa të Artë”, katër “Këpucë të Arta”, dy “The Best”.

"Cristiano Ronaldo e meriton ‘Topin e Artë’. Këtë vit ai ka thyer rekord pas rekordi", – rrëfen Sir Alex Ferguson, çelësi i kthimit të tij te Manchester United. Arsyeja nuk i mungon Fergit. Golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit (451 gola) ka vazhduar të konsolidojë legjendën e tij si golashënuesi më i mirë historik në Ligën e Kampionëve (136 gola) dhe kombëtaren portugeze (115 gola).

Në moshën 36-vjeçare, portugezi ka jetuar sezonin më të veçantë të karrierës së tij dhe vazhdon të jetë një shembull përmirësimi, veçanërisht për të vegjlit. Më 2 shkurt, me dopietën e tij kundër Interit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, CR7 rrëzoi nga froni Pelé dhe Josef Bican (762) dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit.

Që atëherë ai ka konkurruar vetëm kundër vetes…, por vazhdon të kërkojë më shumë dhe është gati të thyejë pengesën prej 800 golash në elitë. Aktualisht, ai ka 795 gola në 1.084 ndeshje.

Ky nuk është rekordi i vetëm që Cristiano po ndiqte. Në vitin 2021, ai gjithashtu është bërë golashënuesi kryesor i të gjitha kohërave në nivel kombëtar. 115 golat e tij për Portugalinë e lejuan atë të mposhtë rekordin e Ali Daei (109 gola). Përveç kësaj, ai ka rrëzuar Ramos (180 ndeshje) për t’u bërë futbollisti evropian me më shumë paraqitje (182 ndeshje).

Ai gjithashtu bëri histori në “Euro 2020”. Portugezi u kurorëzua “Këpuca e Artë” e Europianit me pesë gola. Po kështu, ai u bë me 14 gola në total, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të turneut. CR7 gjithashtu mund të mburret se është, së bashku me Poborsky (6), asistuesi më i mirë në garë, lojtari me më shumë fitore (12) dhe ai që ka luajtur më shumë Europianë (5).

Nga Torino u largua në një mënyrë të madhe. Sezonin e kaluar fitoi Kupën e Italisë dhe Superkupën, u shpall kryegolashënues i Serie A me 29 gola. Në fakt, ai u bë lojtari i parë që ishte golashënuesi më i mirë në Serie A, Premier League dhe La Liga. Tani, ai dëshiron “Topin e Artë”.