Transmetuar më 10-10-2021, 19:48

Një enciklopedi gjërash të ndaluara ka gjetur policia e Rio De Janieros në shtëpinë e një pedofili.

Kur njerëzit e rendit hynë në banesë hasën sasi të madhe të uniformave naziste, kujtime dhe armë me vlerë gati 3.5 milionë dollarë në shtëpinë e një personi të dyshuar si pedofil. Aylson Proenca Doyle Linhares, 58 vjeç, u arrestua këtë javë pasi një çift në lagjen e tij e akuzoi atë për abuzim me djalin e tyre 12-vjeçar, sipas komisarit të policisë Luis Armond, raportoi Agence France-Presse.

Policia tha se gjeti më shumë se 1.000 sende të lidhura me nazistët në shtëpinë e të dyshuarit, përfshirë imazhe dhe bustet e Adolf Hitlerit, uniforma, botime, piktura, shenja, flamuj dhe medalje të Rajhut të Tretë, sipas Reuters. Ata gjithashtu gjetën armë të shumta zjarri, duke përfshirë një mitraloz dhe një pushkë, dhe municion nga ajo epokë, si dhe një kartë anëtarësie naziste që shfaqte fotografinë e të dyshuarit.

"Burri është akuzuar për posedim të paligjshëm të armëve, racizëm dhe pedofili, pasi policia gjeti edhe fotografi të të miturve në kompjuterin e tij", tha Luis Armond, detektivi kryesor në këtë rast. "Ai është një djalë i zgjuar dhe i artikuluar, por ai është mohues i Holokaustit, është homofob, është pedofil dhe thotë se gjuan homoseksualët"- tha Armond për agjencinë e lajmeve Reuters. Linhares u akuzua për posedim armësh, racizëm dhe pedofili, pasi policia gjeti fotografi të të miturve në shtëpinë e tij, tha Armond.