Transmetuar më 08-10-2021, 06:50

Kabineti i kryeministrit, njoftoi mbrëmë vonë se ditën e sotme, herët në mëngjes, do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave.

"Të premten në orën 09:00 do të zhvillohet mbledhja e qeverisë. Në përfundim të mbledhjes Kryeministri Edi Rama do të ketë një komunikim për mediat", informoi qeveria.

Por përse kjo mbledhje, kur vetëm dy ditë më herët ishte mbledhja e rregullt e qeverisë?

Burime nga kabineti, thonë se kryeministri do të shpallë këtë mëngjes, vendime speciale që lidhen me situatën kaotike që është krijuar me çmimet që po njohin vetëm rritje kudo.

Fushata e pandalur e rritjes së çmimeve nisi të nesërmen e fjalimit të Edi Ramës ku shpalli premtime qeveritare për rritje pagash deri 50 për qind në disa sektorë. Ky plan për 2022-2025 që shpalosi Rama, nxiti tregtarët të rrisin çmimet e produkteve kryesore të konsumit të përditshëm, buka, kafja, nënproduktet e qumështit, miellit, etj.

Këtu u pa qartë se kryeministri gaboi që bëri atë deklaratë nxitëse spekulimesh tregtare, pa e shoqëruar me paralajmërime ndëshkuese për tregtarët.

E disa ditë më vonë, Edi Rama gaboi sërish duke publikuar një fjalë të gjatë, në të cilën paralajmëronte krizë të thellë ekonomike globale dhe rritje masive çmimesh(!)

Efekti ishte i menjëhershëm. Në pak orë u rritën çmimet edhe të gazit, naftës e benzinës. Një rritje abuzive sepse ligji e kërkon që rezervat duhet të jenë 90 ditore për çdo tregtar karburanti me qëllim që të shmangen ulje ngritjet e çmimeve në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e naftës që shitet në Shqipëri është prodhim vendi, çka e bën absurde rritjen e çmimeve.

Sakaq nisi një tjetër valë rritje çmimesh në treg, plot produkte po shtrenjtohen së tepërmi, sidomos ato për ndërtim dhe pajisje shtëpie.

Në këtë vorbull të shkaktuar jo thjeshtë nga bursa ndërkombëtare e energjisë apo naftës, por nga lëvizjet e brendshme në Shqipëri, është me interes të dijet se çfarë ka planifikuar Rama të shpallë sot. /noa.al