Transmetuar më 04-10-2021, 16:30

Shefi ekzekutiv i firmës bioteknologjike gjermane BioNTech, e cila ka krijuar vaksinën e parë kundër koronavirusit së bashku me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, tha se deri nga mesi i vitit 2022 duhet një formulë e re për mbrojtje kundër mutacioneve të ardhshme të virusit.

Ugur Sahin tha për gazetën Financial Times se me kalimin e kohës, mutacionet në virus e zvogëlojnë përgjigjen imune të trupit.

Këtë vit, nuk është e nevojshme vaksina e re, por “nga mesi i vitit të ardhshëm, mund të jetë një situatë tjetër”, tha Sahin.

Sahin tha se varianti Delta i koronavirusit – aktualisht dominues në pjesën më të madhe të botës – është më ngjitës, por jo thelbësisht i ndryshëm për t’i bërë vaksinat aktuale joefektive.

Por, shtoi ai, derisa virusi vazhdon të pësojë mutacione, ai mund të dobësojë efektivitetin e vaksinave.

“Ky virus do të qëndrojë dhe do të përshtatet më tej”, tha Sahin duke pranuar kështu se vaksina e kësaj kompanie ka dështuar për të mbrojtur nga koronavirusi SARS-CoV-2. Kur mori miratim emergjent, kjo vaksinë, sikurse u tha nga kompania, mbronte mbi 96 për qind nga infektimi. Kjo do të thotë se vetëm 4 në 100 persona mund të infektohen. Por kjo nuk ndodhi dhe më vonë kompania pranoi se kjo vaksinë nuk të mbron nga infektimi.

Vaksina Pfizer/BioNTech përdor teknologjinë e njohur si ARNm.

Sahin ka thënë më herët se ajo mund të ndryshohet shpejt, për t’iu përgjigjur varianteve të reja të virusit.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 234 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 4.8 milionë kanë vdekur.

Deri të hënën, në të gjithë botën janë dhënë mb6 6.3 miliardë vaksina.