Transmetuar më 04-10-2021, 09:05

Udhëheqës shtetesh janë vënë nën lupën e hulumtimit të Pandora Papers të Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues, i cili zbulon kompanitë që politikanët, biznesmenët dhe të famshmit lidhen për të shmangur taksat.

Bëhet fjalë për 11.9 milionë dokumente, regjistrime audio dhe video, mesazhe, emaile dhe miliona faqe statements bankash dhe zbardhje numrash llogarie offshore dhe jo, të politikanëve, biznesmenëve dhe personave VIP në gjithë botën. Mbi 140 organizata ndërkombëtare lajmesh u bashkuan në këtë projekt dhe esenca e tij që jua sjell më poshtë noa.al u publikua orët e fundit nga The Guardian, BBC dhe Washington Post. Ky është investigimi më i madh ndonjëherë bërë nga mediat dhe dalë në publik. Burimi fillestar i këtyre dokumenteve nuk do të publikohet kurrë, tha ICIJ.

Rrjedhja e re e dokumenteve zbulon pronarët e vërtetë të më shumë se 29,000 kompanive offshore. Pronarët vijnë nga më shumë se 200 vende të botës.

Lista e udhëheqësve të korruptuar dhe abuzive, përfshin Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, Kryeministër i Pakistanit Imran Khan, presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliefm, presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski, Kryeministrin e Republikës Çeke, Andres Bampis, ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe dhjetëra drejtues të tjerë shtetërorë, 300 zyrtarë qeveritarë, por edhe biznesmenë dhe yje të showbizit, mes tyre Shakira dhe Claudia Schiffer.

Mes politikanëve të lartë me rol udhëheqës është dhe një shqiptar, por emri i tij ende nuk ka dalë. Edhe 13 kompani shqiptare shihen të zhytura në këto afera, por emrat nuk kanë dalë. Noa.al po hulumton dokumentet e ICIJ për të kuptuar më shumë mbi përfshirjen e shqiptarëve.

Si është përfshirë Vladimir Putin

Sa i përket Presidentit rus Vladimir Putin, sipas Washington Post, ka prova që sugjerojnë se Svetlana Krivonogich, një grua ruse që u bë pronare e një apartamenti në Monako përmes një kompanie offshore në ishullin Karaibe të Tortola në prill 2003. Kjo grua ka një fëmijë me Putin dhe gëzon besimin e tij për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

Pandora Papers ka publikuar të dhëna për 38 politikanë Ukraina dhe 19 Rusia, 4 politikanë nga Serbia dhe 4 nga Italia.

Në hartën e ‘Pandora Papers’ është dhe Presidenti i Malit të Zi, që shihet të ketë kompani të fshehta jashtë vendit.

Edhe Presidenti i Qipros shihet të jetë zhytur në aferë korruptive.

Tony Blair iu shmang taksave duke përfituar 321.000 paund britanikë. Ndërsa Mbreti i Jordanisë fshehu 70 milionë paund në Britani dhe SHBA.

Kryeministri çek Andrej Babis. Imazhi: Stefan Wermuth/Bloomberg përmes Getty Images

Andrej Babis, kryeministri çek, i cili do të rizgjidhet këtë javë, është një politikan miliarder që e ka hedhur veten si një kundërshtar populist të elitës evropiane.

Të dhënat e rrjedhura tregojnë se, në vitin 2009, Babis injektoi 22 milionë dollarë në një varg kompanish guaskë për të blerë një pronë të madhe, të njohur si Chateau Bigaud, në një fshat në kodër në Mougins, Francë, pranë Kanë.

Kjo kështjellë ka edhe një kinema dhe dy pishina.

Presidenti i Azerbajxhanit rezulton me prona në Londër, me vlerë 700 milionë USD. Kurse  Kryeministri çek, rezulton me kompani investimesh jashtë vendit.

Çfarë janë Pandora Papers

Dokumentet Pandora janë një rrjedhje prej gati 12 milionë dokumentesh që zbulojnë pasurinë e fshehur, shmangien e taksave dhe, në disa raste, pastrimin e parave nga disa prej të pasurve dhe të fuqishmëve në botë.

Më shumë se 600 gazetarë në 117 vende kanë kaluar nëpër dosje nga 14 burime, për disa muaj, duke gjetur histori që po publikohen këtë javë që nisi.

Të dhënat u morën nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) në Uashington DC, i cili ka punuar me më shumë se 140 organizata mediatike në hetimin e tij më të madh global ndonjëherë. /noa.al