Transmetuar më 03-10-2021, 16:34

Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë dhe më gjerë që ka TVSH të njëjtë me artikuj joushqimorë edhe për produktet e konsumit të përditshëm.

Nëse ju ka rastisur të blini ushqime në Greqi apo gjetiu keni parë se tvsh është shumë më e ulët për ushqimet. Kështu nëse blini produkte ushqimore në supermarket, në fqinjin Greqi janë me 8 për qind tvsh ndërsa produktet kozmetike, me 24 për qind.

Por në vendin tonë edhe energjia elektrike, por edhe të gjitha ushqimet bazë janë me tvsh të njëjtë, 20 për qind. Kjo është e papranueshme dhe nuk ka ndryshuar prej shumë vitesh.

Qeveria ka bërë ulje të tvsh edhe për turizmin, por jo për ushqimet. Përballë kësaj situate, tregtarët po rrisin çmimet pasi nisi edhe fiskalizimi më i kontrolluar që synon të formalizojë sa më shumë paranë.

Opozita duket se e ka kuptuar se situata aktuale po bëhet edhe më e rëndë ndaj ka nisur përpjekje për të detyruar qeverinë që të ulë tvsh për shportën ushqimore.

Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, mori sot në Korçë mbështetjen e shumë qytetarëve për nismën e PD për uljen e tvsh nga 20% në 6%.

Qytetarët treguan se rritja e çmimeve është bërë e papërballueshme, duke mirëpritur kërkesën që çon në uljen e çmimeve. Nëse qeveria e miraton nismën, vaji, sheqeri, mielli, orizi, makaronat, qumështi, buka, uji do të kenë çmime më të lira.

P.sh çmimi mesatar i vajit nga 2300 lekë të vjetra bëhet të paktën 2000 lekë, sheqeri nga 800 lekë bëhet 700 dhe me radhë, të gjitha pësojnë ulje duke u kursyer njerëzve disa mijëra lekë në fund të muajit.