Transmetuar më 02-10-2021, 17:47

Leximi i librave dhe shikimi i filmave të suksesshëm të Hollivudit, mund t’i bëjë disa prej nesh të besojnë se rrezatimi është një gjë e rrallë dhe e rrezikshme, që i kthen njerëzit ose në super-heronj ose në përbindësha të deformuar. Por në realitet, rrezatimi është përreth nesh gjatë gjithë kohës, madje edhe brenda trupave tanë.

Por çfarë është saktësisht rrezatimi dhe sa prej tij është në trupin tonë? Rrezatimi përfshin shumë procese, ku secili na duket ndryshe. Në thelb, rrezatim kemi kur një objekt si Dielli, lëshon energji përmes grimcave ose valëve.

Por kur shumë prej nesh i referohen “rrezatimit”, ne po i referohemi në fakt valëve me energji të lartë, si rrezet gama, dhe grimcave me energji të lartë të emetuara nga atomet radioaktivë, siç janë për shembull atomet e uraniumit. Valët dhe grimcat me energji të lartë, janë të rrezikshme për organizmat e gjallë, dhe mund të dëmtojnë qelizat e ekspozuara ndaj tyre.

Për më tepër, të gjithë elementët në tabelën periodike përmbajnë izotope, ose forma të të njëjtit element, që kanë një numër të ndryshëm neutronesh në bërthamat e tyre. Disa izotope janë të qëndrueshme, por të tjerat jo, dhe kjo që do të thotë se janë radioaktive dhe lëshojnë valë ose grimca me energji të lartë.

Për më tepër, disa elementë, të tillë si uraniumi, ekzistojnë vetëm në një formë të paqëndrueshme. Shumë izotope dhe elementë radioaktivë gjenden natyrshëm në mjedis, dhe këtu futen bimët dhe uji. Pra, sa herë që një person ha ushqim ose pi ujë, ai mund të thithë sasi të vogla izotopesh radioaktive.

Por burimet më të mëdha të rrezatimit në trupat tanë janë sasitë e vogla të Karbonit 14 dhe Kaliumit 40, thotë Majk Short, profesor i asociuar i shkencës dhe inxhinierisë bërthamore në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.

Edhe pse këto izotope përbëjnë pjesën më të madhe të rrezatimit të trupit tonë, ne marrim vetëm rreth 0.39 miligram Kalium 40 dhe 1.8 nanogram gram Karboni 14 në ditë. Sasia e radioaktivitetit të shkaktuar nga izotopet brenda trupit të njeriut, është e krahasueshme me 1 për qind të dozës së rrezatimit që do të merrnin njerëzit gjatë një fluturimi me avion nga Bostoni në Tokio.

“Shumica e këtyre radioizotopeve hyjnë në trupin tonë përmes ushqimit që hamë, ujit që pimë dhe ajrit që thithim”- thekson më tej Short. Disa ushqime kanë përqendrime më të larta të izotopeve radioaktive si bananet, të cilat përmbajnë një sasi të vogël të Kaliumit 40, dhe arrat braziliane, të cilat përmbajnë radium.

Sigurisht,sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, sasia e këtyre ushqimeve që konsumon një person mesatar nuk rrit ndjeshëm rreziqet shëndetësore të lidhura me rrezatimin. Janë faktorët e tjerë mjedisorë, ata që mund ta bëjnë shumë më radioaktiv trupin e njeriut.

“Për shembull, njerëzit që jetojnë në bodrume të pa-ajrosura dhe me sasi të madhe graniti, që dihet që përmbajnë shumë radium, thithin shumë më tepër radon dhe izotope të lidhura me të ose produktet e krijuara kur shpërbëhet një atom radioaktiv”- shprehet Short.

Në vitin 1984, StenliUotras, një ekspert i rrezatimit në Pensilvani, lëshoi papritur alarmin, kur zbuloi ekspozimin e njerëzve ndaj rrezatimit. Personeli i sigurisë në kompaninë ku ai punonte ishte në mëdyshje kur zbuloi se vetë Uotras nuk kishte vetë ndonjë burim rrezatimi.

Por më vonë u zbulua se trupi i tij kishte thithur sasi të mëdha gaz radoni nga bodrumi i tij, për të cilin iu tha se e rriti ndjeshëm rrezikun e kancerit të mushkërive.

Short thotë se izotopet radioaktive që marrin njerëzit, krijohen përmes proceseve të ndryshme. Për shembull, Kaliumi 40, është një “nuklid primordial”, gjë që do të thotë se ai ka ekzistuar në formën e tij aktuale që para gjenezës së Tokës.

Nuklideve primordiale u duhet aq shumë kohë për t’u shpërbërë, saqë në thelb janë të njëjta sot që nga koha e krijimit të tyre në yje ose gjatë Big Bengut. “I gjithë kaliumi përmban 0.011 për qind Kalium 40. Ndaj ai ndodhet rreth nesh dhe i pashmangshëm. Ne kemi evoluar në një mjedis radioaktiv, duke përfshirë Kaliumin 40 të kudondodhur që nga koha e krijimit të sistemit diellor”- nënvizon Short.

Izotopet radioaktive, si Karboni 14, dhe një izotop i hidrogjenit i njohur si Tritium, janë produktet “bija” të elementëve më të rëndë që shpërbëhen. Kur bërthamat më të rënda, si ato të atomeve të uraniumit, ndahen pasi janë të paqëndrueshme, pjesët përbërëse në të cilat shpërthejnë ato janë shpesh izotope të tjera.

Vlen të përmendet se izotopet e qëndrueshme mbahen bashkë nga forca e madhe që lidh bashkë protonet dhe neutronet. Por ndërsa bërthama bëhet më e madhe, kjo forcë e madhe mund të tejkalohet nga forcat që i largojnë protonet dhe neutronet nga njëra-tjetra, sikurse është zmbrapsja elektrostatike midis protoneve.

Kur bërthamat shpërbëhen në bërthama më të vogla, ato lëshojnë grimca me energji të lartë ose valë energjie me energji të lartë, nga ku buron edhe rrezatimi. Disa izotope që thithin njerëzit mund të jenë në mjedis për shkak të aktiviteteve njerëzore.

“Testet atmosferike të armëve bërthamore në vitet 1950-1960 prodhuan sasi të vogla të Stronciumit 90, ndërsa incidentet në Fukushima dhe Çernobil çliruan sasi të Ceziumit 137 dhe Ceziumit 134,edhe pse shumica e këtyre të fundit tashmë janë shpërbërë”- përfundoi Short. / “Live Science” – Bota.al