Transmetuar më 20-09-2021, 23:28

Trupi i një gruaje të moshuar u gjet brenda një frigoriferi në shtëpinë e saj në Kaliforni pasi policia e sinjalizuar nga të afërm u fut për kontroll.

Gruaja 87-vjeçare nga Riverside, Miriam Travis, ishte një detektive në pension. Ajo kishte punuar shumë vite në sektorin e zbulimit të vrasjeve në Departamentin e Sherifit të Los Anxhelosit, raporton noa.al duke cituar Press-Enterprise.

Një e afërme thirri policinë dhe kërkoi të futej në shtëpinë e Travis në New Ridge Drive këtë të diel (dje) për të kryer një kontroll, tha oficeri i policisë në Riverside, Javier Cabrera.

Vajza e Travis u mor në pyetje, por dha deklarata jo të qarta për vendndodhjen e nënës së saj, duke bërë që policët të kontrollojnë shtëpinë e cila po mbante një erë të keqe, tha Cabrera.

Oficerët gjetën trupin e Travis brenda një frigoriferi në garazhin e saj. Një autopsi po kryhet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Vajza e Travis, e cila nuk u identifikua nga autoritetet, pasi u pyet nga policët, u la e lirë më vonë. Hetuesit thanë se e kanë nën vëzhgim të bijën derisa të mund të përcaktojnë se si vdiq nëna e saj dhe nëse e bija kishte ndonjë rol në vdekjen e të ndjerës.

Travis u identifikua nga Kerri Nickell nga Oklahoma, e cila tha se gruaja ishte njerka e saj.

Miriam Travis punoi si rreshtere në byronë e vrasjeve në Departamentin e Sherifit të Qarkut Los Angeles nga viti 1979 derisa doli në pension në 1990, tha një zëdhënëse e agjencisë.

Prej dy muajsh askush nuk dinte gjë për fatin e Miriamit derisa dje u gjet në frigorifer. /noa.al