Transmetuar më 20-09-2021, 14:28

Ministrja franceze e mbrojtjes Florence Parly, anuloi një takim me homologun e saj britanik, Ben Wallace pas zemërimit që shkaktoi marrëveshja e fshehtë e sigurisë ndërmjet Britanisë, SHBA-së dhe Australisë.

Takimi duhet të mbahej këtë javë në Londër. Me marrëveshjen Aukus që u arrit javën e kaluar, SHBA-ja dhe Britania e Madhe do ti sigurojne Australisë teknologjinë për të ndërtuar për të parën herë nëndetëse me energji bërthamore.

Parisi është i zemëruar, pasi me paktin Aukus, Australia i dha fund një kontrate me Francën për ndërtimin e 12 nëndetëseve konvencionale. Kjo kontratë, në vlerë prej 37 miliardë dollarësh, ishte nënshkruar në vitin 2016. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, e cilësoi paktin Aukus si “goditje në shpinë”, që, siç tha ai, përbën “sjellje të papranueshme midis aleatëve dhe partnerëve”.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, e mbrojti vendimin e tij për të anuluar marrëveshjen me Francën, në favor të paktit Aukus. Ai deklaroi se e kupton zhgënjimin e Francës, por shtoi se ka qenë gjithmonë i qartë në lidhje me pozicionin e Canberrës.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet të zhvillojë bisedime për këtë çështje me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në ditët në vijim.