Transmetuar më 20-09-2021, 13:15

Rabia po mban në krah foshnjën e saj të porsalindur, vetëm disa ditë pasi lindi në një spital të vogël në provincën Nangarhar në lindje të Afganistanit. "Ky është fëmija im i tretë, por përvoja ishte krejtësisht e ndryshme. Ishte e tmerrshme," thotë ajo.

Brenda disa javësh, njësia e lindjes që Rabia lindi fëmijën e saj ishte boshatisur deri në gjërat më bazike. Asaj nuk iu dha qetësues dhimbjeje, as ilaçe dhe ushqim.

Spitali u përball me temperatura deri në 43C – energjia është ndërprerë dhe nuk ka karburant për të punuar gjeneratorët. Nuk ka naftë as për ambulancat e urgjencës.

Abida, mamia e Rabies, punoi pa u lodhur në errësirë ​​për ta lindur fëmijën me dritën e telefonit celular.

"Ishte një nga përvojat më të këqija që kam pasur ndonjëherë në punën time. Ishte shumë e dhimbshme. Por kjo është historia jonë çdo natë dhe çdo ditë në spital që kur talebanët morën kontrollin."

Të mbijetosh pas lindjes do të thotë që Rabia është një nga ato me fat. Afganistani ka një nga nivelet më të këqija të vdekshmërisë nënore dhe foshnjore në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), me 638 gra që vdesin për 100,000 lindje.

Kombi pa dalje në det është shkëputur nga bota. Kur trupat e huaja filluan të tërhiqen, ardhja e talebanëve në pushtet çoi në ngrirjen e ndihmës së huaj, e cila financon shumë sistemin e kujdesit shëndetësor të Afganistanit.

Donatorët perëndimorë, përfshirë SHBA dhe grupe të tilla si OBSH, përmendin vështirësi në dhënien e fondeve për talebanëve dhe furnizime mjekësore në një aeroport kaotik si ai i Kabulit.

Në njësinë e lindjes së Abidas, ngrirja e fondeve do të thotë që ata gjithashtu nuk janë në gjendje të drejtojnë shërbimin e tyre të ambulancës. Nuk ka para për karburant.

"Vetëm disa net më parë, një nënë ishte pranë lindjes dhe kërkoi urgjentisht një ambulancë sepse kishte shumë dhimbje. Ne na duhej t’i thonim që të gjente një taksi, pasi asnjë autoambulancë nuk ishte në dispozicion.

"Kur ajo më në fund arriti të gjente një mjet, ishte shumë vonë – lindi në makinë dhe u bë e pavetëdijshme për disa orë për shkak të dhimbjeve të forta dhe nxehtësisë ekstreme. Ne nuk menduam se ajo do të mbijetonte. Foshnja ishte gjithashtu në një gjendje shumë të rrezikshme, dhe ne nuk kishim çfarë të siguronim për asnjërën prej tyre", – thotë Abida.

Për fat të mirë, vajza e porsalindur e gruas mbijetoi. Pas tre ditësh u bë më mirë dhe nëna lehonë.

"Ne po punojmë jashtë orarit, ditë e natë, por kemi nevojë për fonde," thotë Dr. Kanem i UNFPA. "Edhe para ngjarjeve dramatike të javëve të fundit, një grua afgane vdes në lindje çdo dy orë."

Në fund të gushtit, talebanët u kërkuan punonjësve të kujdesit shëndetësor femra që të ktheheshin në punë, por "duhet kohë për të rindërtuar besimin, për të siguruar që ata të mos përballen me ndonjë çështje", thotë mjeku tjetër, Dr Majrooh. /noa.al

FOTOGALERI: Getty Images