Transmetuar më 18-09-2021, 11:22

Presidenti Ilir Meta deklaroi para zgjedhjeve se nuk do ta dekretonte Edi ramën Kryeministër nëse do fitonte zgjedhjet. por sot ka bërë detyrën.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri janë betuar sot te Presidenti Meta, për të nisur punën për mandatin e tretë qeverisës. Menjëherë pas betimit, Rama nuk ka humbur kohë, duke zhvilluar në kryeministri mbledhjen e parë të qeverisë së re.

Edhe pse ishte parashikuar të mbërrinte bashkë me ministrat nga Kryeministria në këmbë drejt Presidencës duket se moti i keq ka prishur planet dhe Kryeministri mbërriti me makinë dhe u prit nga Drejtori i Kabinetit në Presidencë, Panaritit. E pranishme në ceremoni ishte edhe kryeparlamentarja, Lindita Nikolla.

Fotot e mëposhtme të postuara nga presidenca shikohet takimi i Ramës me Metën dhe dekretimi i qeverisë "Rama 3".

Njoftimi i presidencës

Anëtarët e Këshillit të Ministrave u betuan sot para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, sipas procedurës kushtetuese.

Me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Kryeministri Sh.T.Z Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave u betuan se: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”

Gjatë kësaj ceremonie solemne ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Sh.S.Znj. Lindita Nikolla dhe anëtarët e Kabinetit të Presidentit të Republikës.