Transmetuar më 18-09-2021, 10:35

Një talent i vërtetë. Jamal Musiala vazhdon të magjepsë: në moshën 18 vjeç ai tashmë ka treguar të gjithë potencialin me një fanellë të rëndë si ajo e Bayern Munich. Mesfushori, mesfushori-sulmues, lojtar i gjithanshëm, Musiala me të vërtetë di të bëjë gjithçka, madje edhe shumë mirë.

Futbollisti i datëlindjes 2003 ishte ndër më të mirët në fushë në ndeshjen e “Camp Nou” kundër Barcelonës, të fituar nga bavarezët 3-0. Një dëshmi tjetër se sa gati është talenti gjerman për t’u bërë yll i futbollit botëror.

Bayerni po shijon performancën e Musiala, teksa nuk mungon lavdërimi dhe krahasimi për të. "Ai ka cilësi teknike që do t’i lejojnë të bëhet mesfushor-sulmues fantastik”, – tha shoku i skuadrës, Thomas Müller.

Trajneri Nagelsmann e përkëdhel: "Ai është shumë i përulur, dëshiron të punojë dhe dëgjon këshillat". Ish-mbrojtësi bavarez, Lothar Matthäus, parashikon një të ardhme fantastike për numrin 42 dhe bën një krahasim të guximshëm:

"Musiala tashmë është lojtar vërtet i mrekullueshëm. Për mendimin tim ai mund të bëhet një Neymar i dytë".