Transmetuar më 17-09-2021, 19:29

Shkaktoi të qeshura me lot në parlament, deputeti i Lushnjës, Saimir Korreshi, sqaron situatën. Mes atyre që nuk u përmbajtën dot ishte edhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Një situatë sa komike aq edhe tragjike në fakt, kur ky reagim vjen nga vetë opozita për deputetët e saj!

Ndërkohë në një intervistë për mediat, Korreshi u shpreh se nuk është ndjerë aspak në siklet, pasi njihet për karakterin dhe notat e humorit që shkakton me batutat e tij.

Ai shtoi se Basha ishte në dijeni të disa prej batutave, porse nuk e kishte pritur që ai do t’i përmendte në fjalimin e tij.

Korreshi tha: "Është një keqinterpretim që kanë bërë mediat. Unë njihem për shaka dhe batuta në Grupin Parlamentar. Nuk më duket shqetësuese. Kryetari i opozitës i dinte batutat. Për mua nuk ka asnjë problem nëse qesh.

Ndoshta kreu i PD i dinte batutat. Ishte seancë maratonë e gjatë, kemi qenë vetëm ne deputetët e opozitës, edhe ministrant nuk patën guxim të rrijnë në foltore. Situata ku jemi është tragji-komike.

Unë godita me shakanë dhe humorin për të treguar situatën tragji-komike ku ndodhemi. Dozat që i shtova shkaktuan edhe të qeshura në sallë.

Realisht që Lushnja është në situatë të rëndë ekonomike. Po të shikoni unë s’e kam prishur terezinë fare, ishin doza humori. Nuk ka qenë mungesë respekti për fjalën time, unë preka realitetin në Lushnjë, ata ministra nuk e dinë gjendjen ku ndodhet Spitali i Lushnjës. Spitali i Lushnjës është sot vetëm për synetlliqe dhe apendesit. Në Lushnjë pas orës 8 të darkës ka vetëm burra e qenër.