Transmetuar më 17-09-2021, 10:24

Ekonomia kineze ka ruajtur një prirje të qëndrueshme dhe ka aftësinë për të vazhduar të kontribuojë në rimëkëmbjen e ekonomisë globale

Të dhënat ekonomike të publikuara ditët e fundit tregojnë se, pavarësisht ndikimeve negative të sjella nga përhapja e koronavirusit të ri, Kina vijon rolin e saj si nxitëse e rigjallërimit të ekonomisë globale.

Grupi Mediatik i Kinës (CMG), analizon situatën ekonomike dhe ndalet në disa dukuri dhe faktorë ndikues.

Në korrik, për shkak të faktorëve të pasigurt, përmbytjeve dhe rasteve të reja të infektimeve në vend, rritja e treguesve kryesorë të ekonomisë kineze u ngadalësua.

Megjithatë, treguesit kryesorë ende janë brenda një sfere të arsyeshme në përgjithësi, gjë që tregon se Kina do të vazhdojë të jetë stabilizuese e rimëkëmbjes ekonomike botërore.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, në shtatë muajt e parë, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina ka arritur në 672 miliardë juanë, 25.5% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ose para shpërthimit të epidemisë.

Në të njëjtën kohë, investimet e drejtpërdrejta jofinanciare kineze në vendet pjesëmarrëse në nismën "Një brez, një rrugë" i kaluan 11.2 miliardë dollarët amerikanë, me një rritje 9.9%.

Fabrikat kineze po mbushin hendekun midis kërkesës e ofertës, duke ndihmuar në stabilizimin e zinxhirëve globalë të furnizimit.

Nga janari deri në korrik, vëllimet e import-eksport, importit dhe eksportit u shtuan përkatësisht 24.5%, 24.5% dhe 24.4%, duke njohur rritjen më të shpejtë në dhjetë vjetët e fundit.

Ndërsa shkëmbimet ekonomiko-tregtare midis Kinës dhe ekonomive kryesore botërore, si ShBA-ja, BE-ja e Japonia, si edhe tregjeve të reja kryesore, si ASEAN-i, Amerika Latine, Afrika etj., kanë pasur përkatësisht rritje mbi 20%.

Në analizën e CMG-së vihet në dukje se vlera e kontributeve të Kinës ndaj ekonomisë botërore nuk është vetëm për momentin, por për një periudhë afatgjatë.

Zyrtarët kinezë publikuan të dhënat ekonomike kombëtare të gushtit. Në gusht, vlera e shtuar e industrisë prodhuese të teknologjisë së lartë të Kinës u rrit me 18.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe norma e rritjes ishte shumë më e lartë se rritja prej 5.3% e vlerës së shtuar të ndërmarrjeve industriale mbi përmasën e përcaktuar.

Nga janari deri në gusht, importet dhe eksportet e Kinës në vendet përgjatë nismës "Një brez, një rrugë" u rritën me 24.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ekonomia kineze ka ruajtur një prirje të qëndrueshme dhe ka aftësinë për të vazhduar të kontribuojë në rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

“BlackRock”, një nga grupet më të mëdha të menaxhimit të aseteve në botë, publikoi kohët e fundit "Parashikimin e investimeve globale të mesit të vitit 2021" ku thuhet se, në krahasim me vendet e tjera të botës, ekonomia e Kinës ka performuar fuqishëm ndaj ndikimit të epidemisë së pneumonisë së koronavirusit të ri dhe është bërë një "shtyllë unike" për rritjen e ekonomisë globale.