Transmetuar më 17-09-2021, 07:46

Një gabim foshnjarak i Thomas Strakoshës ka mjaftuar që Lazio ta humbiste ndeshjen në Stamboll, kundër Galatasaray. Një gafë, nga ato që mbeten në histori për precedentin më negative të mundshëm. Një autogol, që i vendos kryqin përpjekjeve të tij për titullar të bardhekaltrit.

Trajneri Sarri ia dha mundësinë në Ligën e Europës, ndërsa portieri ynë kuqezi bëri më të keqen e mundshme, me duart e tij i dha fitoren minimale kundërshtarit.

Gjithçka ndodhi në minutën e 67-të kur, në zhvillimin e një krosimi nga e djathta, Lazzari në përpjekje për ta pastruar zonën bardhekaltër, ngriti një top që u drejtua drejt portës së tij.

Strakosha vendosi të evitonte zotërimin e topit, por ta devijonte atë për jashtë portës. Në fakt ai e shtyu topin në mënyrë krejt të pahijshme dhe amatoreske në rrjetë. Një gabim serioz, që lejoi Galatasaray, i cili po përjetonte fazën më të mirë të lojës së vet, të prishte ngërçin dhe të kalonte në epërsi 1-0.

Portieri shqiptar, pjesërisht e shpagoi veten disa minuta më vonë, në 72’, kur reagoi mjaft mirë në shmangien e një goditjeje me këmbën e djathtë për në këndore.