Transmetuar më 21-09-2021, 07:40

Ish-portieri i Interit, Julio Cesar, u kthye për të folur për ish-trajnerin e tij, José Mourinho, me të cilin fitoi “tripletën” tek Interi. Duke folur në “Amazon Prime Video” para ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes zikaltërve dhe Real Madridit, braziliani u ndal edhe te “Special One”: "Ai të shtrydh mendërisht si një portokkall. Pa mentalitet të fortë nuk mund të jesh lojtari i Mourinhos”.

Ish-numri 1 i zikaltërve zbuloi gjithashtu një anekdotë për ish–trajnerin e tij. Së bashku me lojtarët e tjerë të “tripletës”, ata kanë një grup Whatsapp-i, ku portugezi është ende i pranishëm:

“Mou është i veçantë, ka një personalitet unik dhe një virtyt të madh: urren të humbasë. Mësova shumë prej tij dhe u rrita si futbollist. Në një moment ai filloi të më thoshte se nuk mund të më shihte nga stoli në portë. Ishte faji i ngjyrave të fanellës që kisha veshur në atë kohë, gri. Kështu më bëri të luaj me fanellën e verdhë në mënyrë që të më shihte gjithmonë në shtyllat e portës, edhe pse nuk ishte njëra nga tri ngjyrat që kishim atëherë. Ai e kishte bërë me qëllim.

Kam edhe një episod tjetër. Vitin e tij të parë ne fituam titullin pa e luajtur ende javën e fundit, sepse Milani kishte barazuar në Udine. Ne ishim kampionë të Italisë, por trajneri nuk donte të shkonte në ‘Piazza Duomo’ për të festuar, sepse kishte një gjë që atij i interesonte vërtet: të kapte rekordin për fitoret e ligës të nesërmen, kur duhej të luanim ndaj Sienës.

Unë u mërzita, doja të festoja me tifozët, kështu që e ndoqa në dhomë dhe i thashë: "Mister, nëse nuk vini me ne, nuk do të fitojmë nesër". Ai u ngrit nga shtrati, edhe pse është pak paragjykues, dhe erdhi. Dhe një ditë më pas mundëm Sienën”.