Transmetuar më 16-09-2021, 19:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli sonte në Parlament mbi qeverinë e re të Edi Ramës, ndërsa pak metra më tutje Sali Berisha mbante tubimin "Foltorja" që synon rrëzimin e tij.

Basha e mori fjalën vetëm pasi kryeministri Edi Rama u rikthye në sallën e Kuvendit. Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, bëri në fillim një skanim të dy mandateve të Ramës, të cilat sipas tij u karakterizuan nga skandalet dhe korrupsioni.

Duke cituar raportet ndërkombëtare, Basha u shpreh se demokracia shqiptare ka vdekur.

“Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira. Nuk vdiq për shkaqe natyrore, packa se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë. Demokracia është vrarë.

Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje. Provë e kësaj është fjalimi që ai mbajti pas dy mandatesh kryekëput të dështuara nga pikëpamja e interesit publik dhe përfitimit të qytetarëve; është deliri për të fryrë gjoksin përballë dështimit me pasoja tragjike të qeverisjes, dhe përpara paaftësisë kronike për të menduar për qoftë edhe një cast të vetëm për dicka tjetër, përveç mënyrës se si të mos lëshojë pushtetin e tij. Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sespe do të kishte punë me drejtësinë për cfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij. Sepse nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur për t’ju mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre të lirë, askush me bilancin e tij të zi, nuk do të kishte shansin të dilte në këtë foltore për të përsëritur gënjeshtra të reja dhe për të amnistuar krime dhe dështime të vjetra”, tha lideri i PD.

Teksa e cilësoi qeverinë e Ramës si më të korruptuarën në Ballkan, Basha tha se vendi ndodhet në krizë, pasi shteti merr borxh për të larë borxhët.

“Sigurisht ai që qëndron ulur këtu mbrapa do thotë që këto janë fjalë, që gjërat po shkojnë mirë, që Shqipëria po ecën kryelartë falë veprave të lavdishme të kësaj qeverie dhe unitetit parti-popull, se këto që unë shpreh janë pjesë e lojës së vjetër pozitë-opozitë, e me radhë e me radhë…

Po a është e vëretë kjo? A janë këto që unë deklaroj sot para jush subjektive? Produkt i verbërisë së opozitës që nxinka gjithcka, sic shprehet ai dhe kasnecët e tij?!

Për t’i dhënë përfitimin e dyshimit, më lejoni t’ia bëj autopsinë kufomës së kësaj qeverie, jo me bisturitë tona, por me ato të partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare:

Fillojmë me Bankën Botërore, sipas të cilës Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Gati gjysma e bashkëqytetarëve tanë jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Vazhdojmë me Eurostatin, sipas të cilit Shqipëria është vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë.

Përsëri Eurostati, shqiptarët kanë pagën minimale më të ulët dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë.

Nga Eurostati vijnë edhe shifrat për eksodin masiv të shqiptarëve, sipas të cilave ke konkuruar me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës gjatë keqqeverisjes tënde.

Ky është realiteti.  Në vend që të ulni kokën e të kërkoni ndjesë keni pacipësinë të mburreni. Sëpaku këtë t’jua kishit kursyer shqiptarëve: mburrjet dhe vetëlavdërimet mbi varfërinë, që janë për njerëzit e thjeshtë njësoj si tju rrotullosh thikën në plagën e hapur.

Korrupsioni është një tjetër thagmë e juaja. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit, ndërsa Transparency International e konsideron korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit.

Banka Botërore dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim të rendisin të dytin në botë, pas Zambias për nivelin e ryshfetit, me shifra 3 herë më të larta se ato të 2013-ës.

Sigurisht këto ndikojnë te klima e biznesit, për të cilën Shqipëria renditet e fundit në Europë në raportin më të rëndësishëm Doing Business!

Je në listën ‘gri’ të Moneyval për pastrimin e parave, e sapo e zbrite edhe 28 vende, sigurisht parave të krimit dhe korrupsionit.

Për OKB-në je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë, si të vetmin produkt me të cilin njihet qeverisja jote, ndërsa fermerët shqiptarë që punojnë ndershmërisht tokën i ke lënë pa mbështetje, me subvencionet direkte më të ulëta në rajon.

Edhe aty ku jepen me pikatore, jepen kryesisht për korrupsion dhe për të blerë vota.

Sipas UNESCO-s je një nga vendet me financimet më të ulëta për arsimin, vetëm 2.3% e PBB-së, më i ulëti në 20 vjet!

Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, gjithmonë sipas Eurostat.

Ndërsa Banka Botërore thekson se e ke renditur Shqipërinë në krah të vendeve afrikane për numrin e mjekëve për banorë dhe se qytetarët kanë pagesa maksimale nga xhepi, duke hedhur në koshin e plehrave gënjeshtrën e shëndetësisë falas.

Dhe kur pandemia trokiti në derë, qytetarët hynë në borxhe për të shpëtuar jetët e tyre për shkak të një pushteti që dha mbështetjen më të ulët ekonomike në Europë. Këtë nuk e them unë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Borxhi publik ka dalë nga binarët, duke kërcënuar të ardhmen e brezave. E gjete në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Erdhe në pushtet duke bërtitur e duke cituar Luigj Gurakuqin “a ka ma keq se me la borxh me borxh”.

Premtove se do ta ulje borxhin dhe e çove mbi 80%, më të lartin në rajon”, u shpreh Basha.

Fjala e plotë e z.Basha: Zonja dhe zotërinj, të nderuar qytetarë Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira.

Nuk vdiq për shkaqe natyrore, packa se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë. Demokracia është vrarë. Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje.

Provë e kësaj është fjalimi që ai mbajti pas dy mandatesh kryekëput të dështuara nga pikëpamja e interesit publik dhe përfitimit të qytetarëve; është deliri për të fryrë gjoksin përballë dështimit me pasoja tragjike të qeverisjes, dhe përpara paaftësisë kronike për të menduar për qoftë edhe një cast të vetëm për dicka tjetër, përveç mënyrës se si të mos lëshojë pushtetin e tij.

Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sespe do të kishte punë me drejtësinë për cfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij.

Sepse nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur për t’ju mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre të lirë, askush me bilancin e tij të zi, nuk do të kishte shansin të dilte në këtë foltore për të përsëritur gënjeshtra të reja dhe për të amnistuar krime dhe dështime të vjetra.

Sigurisht ai që qëndron ulur këtu mbrapa do thotë që këto janë fjalë, që gjërat po shkojnë mirë, që Shqipëria po ecën kryelartë falë veprave të lavdishme të kësaj qeverie dhe unitetit parti-popull, se këto që unë shpreh janë pjesë e lojës së vjetër pozitë-opozitë, e me radhë e me radhë… Po a është e vëretë kjo? A janë këto që unë deklaroj sot para jush subjektive? Produkt i verbërisë së opozitës që nxinka gjithcka, sic shprehet ai dhe kasnecët e tij?! Për t’i dhënë përfitimin e dyshimit, më lejoni t’ia bëj autopsinë kufomës së kësaj qeverie, jo me bisturitë tona, por me ato të partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare:

Fillojmë me Bankën Botërore, sipas të cilës Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Gati gjysma e bashkëqytetarëve tanë jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Vazhdojmë me Eurostatin, sipas të cilit Shqipëria është vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë. Përsëri Eurostati, shqiptarët kanë pagën minimale më të ulët dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë. Nga Eurostati vijnë edhe shifrat për eksodin masiv të shqiptarëve, sipas të cilave ke konkuruar me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës gjatë keqqeverisjes tënde. Ky është realiteti. Në vend që të ulni kokën e të kërkoni ndjesë keni pacipësinë të mburreni. Sëpaku këtë t’jua kishit kursyer shqiptarëve: mburrjet dhe vetëlavdërimet mbi varfërinë, që janë për njerëzit e thjeshtë njësoj si tju rrotullosh thikën në plagën e hapur.

Korrupsioni është një tjetër thagmë e juaja. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit, ndërsa Transparency International e konsideron korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit. Banka Botërore dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim të rendisin të dytin në botë, pas Zambias për nivelin e ryshfetit, me shifra 3 herë më të larta se ato të 2013-ës. Sigurisht këto ndikojnë te klima e biznesit, për të cilën Shqipëria renditet e fundit në Europë në raportin më të rëndësishëm Doing Business! Je në listën ‘gri’ të Moneyval për pastrimin e parave, e sapo e zbrite edhe 28 vende, sigurisht parave të krimit dhe korrupsionit. Për OKB-në je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë, si të vetmin produkt me të cilin njihet qeverisja jote, ndërsa fermerët shqiptarë që punojnë ndershmërisht tokën i ke lënë pa mbështetje, me subvencionet direkte më të ulëta në rajon. Edhe aty ku jepen me pikatore, jepen kryesisht për korrupsion dhe për të blerë vota.

Sipas UNESCO-s je një nga vendet me financimet më të ulëta për arsimin, vetëm 2.3% e PBB-së, më i ulëti në 20 vjet! Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, gjithmonë sipas Eurostat. Ndërsa Banka Botërore thekson se e ke renditur Shqipërinë në krah të vendeve afrikane për numrin e mjekëve për banorë dhe se qytetarët kanë pagesa maksimale nga xhepi, duke hedhur në koshin e plehrave gënjeshtrën e shëndetësisë falas. Dhe kur pandemia trokiti në derë, qytetarët hynë në borxhe për të shpëtuar jetët e tyre për shkak të një pushteti që dha mbështetjen më të ulët ekonomike në Europë. Këtë nuk e them unë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar!

Borxhi publik ka dalë nga binarët, duke kërcënuar të ardhmen e brezave. E gjete në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Erdhe në pushtet duke bërtitur e duke cituar Luigj Gurakuqin “a ka ma keq se me la borxh me borxh”. Premtove se do ta ulje borxhin dhe e çove mbi 80%, më të lartin në rajon. Pa futur këtu PPP-të që nuk i deklaron si borxh, packa se FMN ju kërkon të kundërtën, sepse borxh janë, dhe vetëm këto kanë kapur vlerën e mbi 2 miliardë eurove. Angazhime jashtë bilanci që janë në shifra rekord, duke na renditur të parët në krahasim me Europën e pasur, duke zënë 9.5% të PBB-së.

Për të mos harruar arbitrazhet miliona euroshe që do të rëndojnë në xhepat e qytetarëve, e sidomos njërin në vecanti, atë të Becchetti-t, që nuk është gjë tjetër vecse pasojë e luftës tënde personale që deri më tani mban një faturë prej 120 milionë euro dhe ka filluar të arkëtohet. Ti ke mashtruar se ai nuk do të marrë asnjë kokërr leku, në fakt ai po i merr në euro, po ja merr paratë shqiptarëve, ndërsa padia që ne kemi depozituar në SPAK për këtë krim po merr vetëm pluhur.

PPP korruptive dhe klienteliste prodhojnë cudira të tjera për taksapaguesin shqiptar, sepse nëpërmjet tyre financohen rrugët më të shtrenjta se shumica e vendeve të Europës, si ato me 20 milionë euro kilometri. Dhe paradoksi do të bëhet edhe më kuptimplotë, kur qytetarët e vendit më të varfër në kontinent, do të udhëtojnë në rrugë të florinjta, për të ushqyer babëzinë e të korruptuarve, me të cilët je në ortakëri, duke djegur naftën më të shtrenjtë në Europë, për shkak të taksave që ti ke rritur dhe që shkojnë në drejtim të paditur. Dhe mund të vazhdoj kështu me orë të tëra, duke numëruar të këqijat dhe poshtërsitë që i keni bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë, nga aferat më të vjetra, tek ato më të reja, si ajo e portit të Durrësit.

Nga dështimi i reformës në arsim, te kolapsi nën peshën e PPP-ve korruptive, i reformës në shëndetësi. Nga reforma e falimentuar territoriale, që u qëndis si një këmishë force për t’u shërbyer interesave tuaja politike, por jo qytetarëve, tek e sëmura e madhe, që është reforma në drejtësi. Një e sëmurë që mbahet e intubuar nga partnerët, por e goditur dhe e rrezikuar nga virusi i korrupsionit i kësaj pakice që e ka kapur për të penguar ndëshkimin e merituar të eksponentëve të saj të korruptuar e të lidhur me krimin!

E pas kësaj ekspozeje të shkurtër, që shqiptarët e njohin mirë sepse pasojat i kanë vuajtur dhe i vuajnë në lëkurën e tyre, pyetja që ngrihet është ku i gjetët votat? Dhe përgjigja e menjëhershme vjen prej një tjetër raporti ndërkombëtar, atij të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon masakrën zgjedhore. Aty thuhet se ka patur blerje masive të votave dhe presion ndaj votuesve. Se partia në pushtet dhe shteti janë shkrirë në një. Se asetet publike janë keqpërdorur në avantazh të partisë në pushtet, pra abuzim me pushtetin dhe funksionet publike! Keni rritur fiktivisht punësimin në administratën publike, duke shtuar mbi 12 mijë vetë, për qëllime elektorale, keni ushtruar presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet.

Raporti thotë se keni përdorur fonde e rindërtimit për të ndikuar votën. Keni përdorur legalizime në këmbim të votës. Keni vjedhur të dhënat private dhe personale të shqiptarëve duke ngritur sistemin kriminal të patronazhistëve për të ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve. Keni përdorur grupe kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve. Keni ndryshuar Kushtetuën në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndryshuat për qëllimet tuaja fletën e votimit, cka solli numër rekord votash të pavlefshme.

Po ashtu raporti flet edhe për përdorim e turpshëm të komitetit politik të ekspertëve, për të mbyllur kufijtë dhe për t’iu mohuar të drejtën e votës qindra-mijëra shqiptarëve në emigrim. Mjafton një nga rekomandimet prioritare që ti vërë vulën rrëzimit të këtye zgjedhjeve, po ua lexoj: Shteti duhet te garantojë të drejtën për një votë të lirë dhe të fshehtë. Duhet ndalur cdo forme presioni për të zbuluar nëse dhe si qytetarët kanë votuar. E keni lexuar apo jo? Ngjan si pika uji me raportin e Bjellorusisë së Lukashenkos. Mjafton kjo fjali që rëndon si gur varri mbi zgjedhjet e vrara.

Kjo, të dashur bashkëqytetarë, është vetëm ajo që vëzhguesit e huaj kanë konstatuar për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Por ju e dini mirë se ajo ishte shumë më shumë se kaq, ndaj dhe ndërthurja e partisë, krimit dhe oligarkisë, e kanë deligjitimuar rezultatin e një procesi zgjedhor që nuk kishte lidhje me demokracinë dhe është i papranueshëm për një vend anëtar të NATO-s dhe pretendent për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj edhe imponimi i një realiteti të rremë nuk zgjidh asgjë për shqiptarët, problemet e të cilëve janë dhe do të jenë po ato që kanë pasur para masakrës zgjedhore, për sa kohë ata që kanë prodhuar këtë gjendje ekonomike, politike dhe sociale, ndalën dhunshëm ndryshimin. Kështu vdesin demokracitë. Kështu humbet Shqipëria dhe fiton autoritarizmi!

Përbërja e kësaj pakice reale që hiqet si shumicë fiktive, që kemi sot përballë nesh, është shfaqja më e qartë e një regjimi që nuk e ndryshon dot natyrën e vet e për pasojë as efektet negative që ai ka mbi jetën e cdo shqiptari. Sepse në këtë sallë janë mbledhur përsëri ata që nuk duhet të ishin këtu, si dhe ata që përdorën të njëjtat mjete të paligjshme për t’u bërë pastaj aksionerë të një pushtetit të korruptuar. Duke filluar me ata që u kapën në flagrancë me dosjet kriminale 184 dhe 339, pandëshkueshmëria e të cilave ka kërcënuar dhe kërcënon negociatat me Bashkimin Europian, packa se për këtë që qëndron këtu mbrapa fajin e kanë përherë të tjerët për dështimet e tij. Secili prej tyre, është një mospërfillje e hapur ndaj shoqërisë shqiptare, e cila sfidohet nga pandershmëria dhe lidhjet e këtyre parlamentarëve me krimin e organizuar, si përfaqësues të vërtetë të tij, dhe jo të qytetarëve.

Guximi dhe tallja përballë një drejtësie të paralizuar bëhet edhe më arrogant, kur një nga ata që u përfshinë në sistemin kriminal të vjedhjes së votës së Dibrës, i cili duhet të ishte përpara drejtësisë, vendoset në ministër i saj. Në këtë sallë janë po ashtu edhe përfaqësuesit e Tom Doshit, që u futën këtu si një kalë Troje nga i cili dolën paratë me të cilat u blenë votat për të sjellë 3 persona që pak ditë përpara se të bëheshin deputetë, mbanin poste drejtorësh në administratën e Edi Ramës. Një tjetër provë që e bën të qartë se fatet e tyre janë të përbashkëta, sepse ajo parti u përdor për të bërë punët e pista e për të përfituar më pas nga buxheti i shtetit me ndarje ofiqesh e tenderash. Në këtë sallë janë edhe dy përfaqësues të rinj të aleancës së Ramës me krimin. Njerëz që dolën nga anonimiteti duke grumbulluar vota me para e shantazhe, të renditur ndër më të votuarit në Shqipëri, ndërsa njihen në jetën politike të vendit vetëm sepse janë djali dhe dhëndri i Aqif Rakipit.

Kjo është mazhoranca e rremë, këta janë aksionerët e saj, këta dhe sponsorizuesit e tyre do të jenë përfituesit e këtij pushteti, jo shqiptarët! Përballë këtyre individëve mbi të cilin ngrihet ky pushtet i paligjshëm, detyra jonë është që të bëjmë gjithcka që ata të mos jenë më në këtë sallë dhe i njëjti fat të ndjekë sa më parë të gjithë ata që mbajnë në këmbë këtë regjim që nuk përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve. Kjo është detya jonë e parë dhe vetëm ne mund e do ta bëjmë, sepse vetëm kështu ndahet përfundimisht e ardhmja nga e shkuara. Ne jemi në vijën e parë të betejës.

Sepse ishim ne që refuzuam parimisht të përdornim të njëjtin model korruptiv të ndërtuar nga ky regjim, pasi jemi të vetëdijshëm se me barazimin e këtyre faktorëve, pra me aktivizimin edhe nga ne të grupeve dhe metodave kriminale asgjë nuk do ndryshonte për shqiptarët, edhe nëse ndryshimi nuk do të ishte penguar.

E ndryshme ishte beteja jonë. Ajo nuk u bë nga njerëz të pushtetshëm, nga krimielë të lidhur me politikën, nga parazitë të përfitimeve ekonomike që burojnë nga taksat dhe pasuritë e qytetarëve. Beteja jonë u bë nga njerëz të zhveshur nga cdo pushtet dhe imunitet, nga qytetarë të thjeshtë, nga të rinj e të reja, nga punëtorë e punëtore që kërkonin një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, nga sipërmarrës të ndershëm që mbajnë mbi supe peshën e korrupsionit dhe klientelizmit të regjimit, nga intelektualë dhe aktivistë që kërkonin ndryshimin e shumëpritur.

Ne nuk kërcënuam. Ne nuk blemë. Ne nuk vodhëm. Ne nuk përdorëm asnjë mjet shtetëror. Ne nuk pranuam asnjë kriminel. Ne dolëm në fushatë si njerëz të lirë, ne folëm qartë dhe fortë për vizionin tonë për Shqipërinë, për bijtë dhe bijat e saj, u bëmë zëri i tyre duke frymëzuar shpresë për një të ardhme më të mirë. Ne i kemi dhënë shqiptarëve programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me ekspertët dhe aleatët perëndimorë. Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale të vendit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve.

Një program me angazhime konkrete, për cdo sektor të shoqërisë, që ofron zgjidhje për të cliruar potencialin e cdo shqiptari, që cliron dhe zhvillon potencialin e Shqipërisë të goditur nga korrupsioni që ka kapur shtetin. Një program që ka në qendër familjen shqiptare, që synon forcimin e shtresës së mesme, si garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit. Këto angazhime morën një mbështetje masive, sepse ishin rruga e vetme për të nxjerrë Shqipërinë nga stanjacioni dhe qëndrimi për shumë gjatë në vendnumëro. Ndaj ne do të luftojmë me cdo mjet dhe me cdo formë, që këto angazhime të bëhen realitet dhe zëri i qytetarëve që kërkojnë këto ndryshime të dëgjohet.

Distanca që ekziston midis vënies në jetë të këtij programi në dobi të shqiptarëve dhe vazhdimit të një modeli që ka rezultuar i dëmshëm për interesin publik nuk është e madhe, por e vogël sa 30 mijë votat që ndanë, pavarësisht gjithë paligjshmërive, dy kampet tona. Qytetare dhe qytetarë të nderuar, Vendi ndodhet në një udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Për ne zgjedhja është e qartë, për ne zgjedhja është dhe do të jetë gjithmonë vetëm ajo që është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Njeriu i mashtrimeve të zhurmshme elektorale, i 300 mijë vendeve të punës, që u kthyen në 500 mijë të larguar, i uljes së cmimeve, që u kthyen në rritje mbytëse për familjet shqiptare, i legalizimeve falas, që u ktheyn në legalizime me pagesë dhe prishje selektive, i shëndetësisë falas, që kolapsoi përballë korrupsionit të PPP-ve klienteliste, i buxhetit për arsimin 5,5 të PBB-së, që u katandis në më të ultin në 20 vite, i uljes së taksave për 97% të shqiptarëve, që u kthye në zgrapje të vazhdueshme nga dora e tij në xhepat e qytetareve dhe shkatërrimin e shtresës së mesme,

i uljes së cmimit të naftës, që u kthye në naftën më të shtrenjtë në Europë, i luftës kundër korrupsionit, të cilin e coi në nivelin e kapjes së shtetit, I premtimeve për celje negociatash, që për vite me radhë për faj të tij u shndërrua në shtim kushtesh, Ky njeri pra, rekordmeni shekullor i premtimeve të pambajtura nuk ka asnjë zgjidhje, përvec kopjimit përtac e analfabetik të programit të Partisë Demokratike, dhe riciklimit të mashtrimeve të vjetra. Por problemet e Shqipërisë janë serioze. Dhe zgjidhjet serioze nuk vijnë nga 40 faqe llomoti, që kanë paturpësinë ta quajnë program.

Nuk do të merrem me të, sepse realisht do të ishte një koment mbi hicin. Por ajo që ka qenë e qartë për të gjithë, prej fillimit, është se i vetmi program që ju keni është vijimi i plackitjes i gjithckaje publike dhe private, për veten tuaj dhe për klientët tuaj. E vetmja strategji që keni, është ajo e mbijetesës tuaj politike. Asgjë më shumë se kaq.

Mund të përdor shumë, shumë shembuj, sepse prej vitesh keni prodhuar skandale që janë eklipsuar nga skandale të tjera, dhe për shkak të të munguarës së madhe, drejtësisë, e gjitha kjo ngjan si një luftë fjalësh, ndërsa vendi ka marrë tatëpjetën. Megjithatë ka një moment që e shfaq në gjithë brutalitetin e tij natyrën e vërtetë të pushtetit tuaj dhe vizionit që keni për këtë vend.

Pandemia. Pandemia goditi ashpër të gjitha shtetet – sigurisht nuk mund të të bëj përgjegjës për këtë – por në zgjedhjet që ti bëre në keqmenaxhimin e saj shqiptarët kuptuan se kush jeni dhe sa e gënjeshtërt është propaganda juaj. Është fakt tashmë që Shqipëria ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë në Europë. Mijëra prindër, bij e bija nënash e baballarësh, sot kanë lënë pas boshllëqe, dhimbje dhe halle në gjirin e familjeve që i humbën, për shkak të koktejit të neglizhencës vrastare, propagandës së pashpirt dhe makutërsië për të bërë plackë edhe në kohërat e kolerës. Është fakt dhe dhimbje e pakurueshme po kështu, se kur njerëzit po humbnin gjithcka për të shpëtuar shëndetin e tyre, ti dhe ndihmën ekonomike më të ulët në Europë.

Po ashtu është fakt se ndërkohë që jetët e humbura shtoheshin, ndërkoë që familjet shqiptare varfëroheshin dhe ekonomia lëngonte për shkak të mbylljes, ti bëje tendera sekretë me cmime të paracaktuara në dobi të klientëve të pushtetit tend. Ti vijoje pagesat e majme për inceneratorët e mafias së plehrave dhe PPP-të e tjera që ishin në funksion të xhepave tua dhe fushatës zgjedhore. Pra, në ditët më të zeza të shqiptarëve, shqetësimi juaj i vetëm ishte pasurim dhe pushteti, asgjë tjetër. Kjo nuk është një sjellje njerëzore, por ngjan më shumë me ato të hienave, që sulen më egër në momentet e brishtësisë.

Këta jeni ju! Ky është modeli juaj! Ky është programi juaj! Asgjë tjetër vecse një kope e babëzitur që si në rast pandemie si në rast tërmeti, turreni për të shqyer cfarë mundeni të shqyeni! Një fatkeqësi kombëtare!

E vetmja ku dua të ndalem tek ai që ju quani program, është iniciativa e Novisadit. Cfarë e motivon përbuzjen e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania dhe që ka mbështetjen politike e financiare të BE-së, vendeve kryesore anëtare të Unionit e që mbledh së bashku të gjitha vendet e Ballkanit, dhe cfarë të detyron të investohesh kaq fort në një iniciative paralele të krijuar në Novisad e si autoritetin më të lartë ka Vucic.

Përgjigjja është e thjeshtë. Juve nuk ju intereson aspak procesi dhe rezultati i bashkëpunimit rajonal por vetem kapardisja si udhëheqës rajonalë para popujve që i keni lënë në baltë prej korrupsionit dhe lidhjeve tuaja me krimin e organizuar.

Proceset e sukseshme janë gjithmonë të gjata e të vështira, por autokratët e të korruptuarit kanë vetëm hallin e kohës së tyre politike, jo të njerëzve.

E udhës për Shqipërinë do të ishte të fokusonte të gjitha energjitë te Procesi i Berlinit, te thithja e fondeve të vëna në dispozicion – por këtu qëndron problemi se nuk i vidhni dot – dhe te mekanizmat për të sjellë më afër vendet e rajonit e për ti dhënë Kosovës vendin që i takon, si shtet i barabartë mes shteteve te rajonit, në cdo marreveshje e dokument.

Por ti ke prioritet iniciativën e Novi Sadit e cilat mbahet mend vec për sulmet që ti i bën lidershipit të Kosovës sa here mblidheni për resmen e rastit, dhe për turpin tënd edhe kur në krah keni iniciatoren e Procesit te Berlinit sic ndodhi 2 ditë më parë.

Pas cdo resme që Vucic bën me ju, maskohet ambicia e tij për atë qe ai e quan “bota serbe”, fshihet spastrimi etnik i luginës së Presheves përmes pasivizimit të adresave, privimi që iu bën shqiptarëve të tre komunave, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të së drejtës për t’u punësuar e zhvilluar ekonomikisht, fshihen ambiciet për të kontrolluar dhe tollovitur Malin e Zi, sic ndodhi pak kohë më parë kur kërcënoi luftë civile. E reagimi yt ndaj kësaj sjellje janë sulmet nga liderëve të Kosovës që refuzojnë një gjë të tillë.

Bashkëpunimi rajonal nuk mundet kurrë të nisë nga Novi Sadi, por nga Mitrovica, shqetësimi ynë duhet të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, sic janë per Vucicin ato të serbeve të Kosovës. Marrëdheniet ndërshtetërore dhe fqinjësia e mirë ngrihen mbi baza proporcionaliteti dhe jo vasaliteti. Në këto procese Shqipëria ka vetëm një detyrë, të mbështesë Kosovën, sepse për Shqipërinë nuk mund të jetë e mirë ajo që nuk është e mirë për Kosovën.

Është e vërtetë që rritja e ekonomisë dhe e mirëqënies, sigurisht dhe zhvillimi i një një vendi, ndalja e shpopullimit që po kërcënon të ardhmen, nuk vjijnë vetëm nga faktorët ekonomikë, apo nga premtime të bujshme, por varen nga zhvillimi i demokracisë, nga institucionet, nga besimi i qytetarëve në to, nga bashkëndarja në shoqëri të vlerave dhe shpresave. Është po ashtu e vërtetë që nuk mund te kemi rritje ekonomike, zhvillim dhe mirëqënie, me institucione nën thundrën e korrupsionit, me një demokraci të goditur në zemër, te zgjedhjet e lira, me vlera të përmbysura prej sundimit të gjatë të korrupsionit dhe krimit që bashkëjetojnë me regjimin që ka marr peng të ardhmen e Shqipëirsë.

Që Shqipëria të dalë nga ky udhëkryq, që shqiptarët të shpëtojnë nga armiqtë e qeverisjes së mirë, kërkohet një zgjidhje politike. Natyrisht ajo nuk mund të vijë vetëm nga ne, as nga ai që i ka shpallur luftë demokracisë dhe bashkëjetesës demokratike, por duhet të vijë si një bashkëpunim i ngushtë me shoqërinë shqiptare, që prej kohësh ka shprehur dëshirën e ngutshme për ndryshim. Prandaj ne, në Parlament dhe jashtë tij, nuk do të jemi vetëm gardianët e interesit publik kundër kësaj skote të korruptuar, por duam të jemi instrumenti në duart e qytetarëve për ta realizuar bashkë këtë ndryshim.

Ne i kemi marrë mësimet tona nga gabimet e të shkuarës, i kemi hapur dyert tona për këdo që kërkon të kontribuojë për përmirësimin e jetës politike të vendit. Sado të pakënaqur dhe të mërzitur me politikën apo me ne, për cfarë nuk kemi bërë apo për cfarë mund të bëjmë më mirë, sado të largëta t’i kemi pikëpamjet, fati i një shoqërie ngrihet mbi bashkëpunimin forcave të saj të gjalla dhe politikës. Dhe në këtë rast, bashkëpunimi nuk është një opsion, por është një detyrë. Një detyrë e nxitur nga ajo që na ka bashkuar përballë krizave në dukje të pakapërcyeshme: aspirata për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë. Sepse përpara se të jetë një mision partiak, i yni është një mision patriotik. Dhe kthimi i demokracisë dhe legjitimitetit në Shqipëri është një kushtrim në këtë stinë të re që ka trokitur në dyert e politikës shqiptare, ku asgjë nuk ka për të qenë më si më parë!

Ndaj sot, nga kjo foltore dua të përësëris këtë ftesë në emër të Partisë Demokratike për mbarë shoqërinë shqiptare, për intelektualët, studentët, pedagogët, sipërmarrësit, artistët, gazetarët, profesionistët, të rinjtë e të rejat për të ndërtuar bashkarisht një platformë për rikthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend do të jetë guri i themelit i një aleance të sinqertë dhe jetike për t’iu kundërvënë partisë-shtet, të lidhur me krimin, korrupsionin dhe oligarkinë. Të dashur bashkëqytetarë, ne duam të punojmë me ju, për t’i dhënë jetë një debati që nuk mund të zhvillohet vetëm brenda kësaj salle, ku zëri i qytetarëve të dëgjohet për t’i dhënë jetë një reforme zgjedhore që të jetë në lartësinë e kërkesës së shoqërisë për një demokraci përfaqësuese sa më pranë standarteve të vendeve që ne kemi nderin t’i quajmë partnere, një reformë territoriale që të jetë në shërbim të qytetarëve, jo të partisë politike, prandaj zëri juaj duhet të jetë i pranishëm në këtë diskutim.

Për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, për platforma që clirojnë ekonominë nga oligarkët dhe garantojnë garën dhe konkurencën, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimin, duke i dhënë fund damkës së pashlyeshme që ka marrë përsipër kjo pakicë. E pasi të kemi forcuar bashkëpunimin tonë dhe t’i kemi dhënë zë dhe jetë propozimeve të shoqërisë, do të jetë detyra jonë që t’i sjellim në këtë sallë, ku me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, do të luftojmë për t’i bërë realitet në shërbim të cdo shqiptari. Natyrisht kam dëgjuar edhe fjalët e përgjegjësit për krizën e thellë të vendit, kur thotë se është i hapur për bashkëpunim pa kushte nëse ne nuk shajmë Shqipërinë në gjuhë të huaj. Në radhë të parë, nuk e kemi bërë kurrë.

Në radhë të dytë, të shash Shqipërinë në gjuhë të huaj do të thotë të sajosh histori si ajo e Griseldës për të penguar vizat dhe ta trumbetosh nëpër Europë si krim të qeverisë shqiptare. Por këtë nuk e kemi bërë ne, kjo është vepra e poshtërsisë tënde karshi shqiptarëve kur ishe në opozitë. Madje ke vijuar ta dëmtosh imazhin e vendit e në fakt je dëmtuesi numër një i Shqipërisë, duke futur kriminelë në parlament dhe bashki, duke i dhënë Shqipërisë nofkën Kolumbia e Europës për shkak të kanabizmit masiv të vendit, duke emëruar jo një as dy port tre ministra të brendshëm të lidhur me krimin e organizuar, duke i degdisur shqiptarët si azilkërkues me shifra të ngjashme me ato të Sirisë në luftë civile në raport me popullsinë, duke e klasifikuar vendin si Shtet të kapur për shkak të korrupsionit që ti dhe banda jote plackitëse e keni cuar në nivelin më kërcënues për institucionet dhe qytetarët.

Kjo është përbaltja më e madhe që është bërë vendit, prandaj mos ofendo inteligjencën e shqiptarëve dhe as mos u sill si ai që nuk je, sepse nuk përcakton dot asnjë agjendë, nuk përcakton dot asnjë reformë, sepse i ke zgjedhur me kohë aleancat e tua, bota mbarë e di që janë krimi dhe një grusht i vogël klientësh. Ne kemi të qartë agjendën tonë dhe interlokutorët tanë, dhe ata janë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Prandaj kushtet nuk i dikton ti, por ata dhe nevoja e vendit për ndryshim.

Të dashur bashkëqytetaqrë, Zonja dhe zotërinj, Prindër, të rinj dhe të reja Jam i bindur që kjo nuk do të jetë e lehtë. E di që cinizmi dhe mosbesimi mund të jenë penguese për disa kohë. E di, e shohim të gjithë-kush nuk e sheh? –se sa e si është investuar e vijon të investohet shumë për të mbajtur vendin në stausquonë e sundimit afatgjatë të një kaste në qeveri dhe rreth saj.

Interesi dhe beteja e kësaj kaste është të ndalë të ardhmen ku ligji, liritë, shanset e barabarta, puna, dinjiteti, rritja e mirëqenies të jenë shija e jetës së gjithsecilit në këtë vend.

Beteja jonë është tjetër. Ne po bëjmë e do të bëjmë çmos që horizonti i Shqipërisë normale të hapet. Dhe do të hapet.

Por, mbi të gjitha, jam i bindur se në këtë betejë midis së shkuarës dhe të ardhmes, kjo Parti Demokratike, mbi vlerat dhe parimet perëndimore të së cilës Shqipëria u ngrit nga hiri i një regjimi gjakatar, ka forcën, energjinë dhe vizionin për të sfiduar cdo regjim dhe për të përqafuar ambicien e shumicës së shqiptarëve që duan ndryshim.

Të dashur bashkëqytetarë, Në momente të vështira të historisë, shprehjet më fisnike të angazhimit kanë qenë përherë zgjedhjet e guximshme, të cilat kanë krijuar mundësi që deri në një moment më parë dukeshin të pamundura, të paarsyeshme.

Gjithmonë ka ekzituar një hapësirë midis qytetarëve dhe partive, për shkak të pakënaqësive, zhgënjimeve apo antipative të reja apo të vjetra. Në disa momente kjo hapësirë është si një hendek i madh, shpesh herë për shkak të partisë që nuk reflekton mjaftueshëm shoqërinë. Ndërsa në momente të tjera kjo hapësirë është vetëm një hap larg, sepse qytetarët dhe partitë shohin mundësinë e ndryshimit nëpërmjet njëri-tjetrit. Ky moment ekziston sot, dhe është detyrë qytetare të hedhim një hap drejt njëri-tjetrit.

Sfidat që kemi përpara janë të shumëllojshme. Nga ato madhore, si frenimi i shpopullimit, që po mpak familjet dhe po mbyll shkolla anembanë vendit, tek ato të përditshmet por jo më pak të rëndësishme, që kanë të bëjnë me kostot e jetesës, me shkollimin e fëmijëve, me punësimin, lirinë e sipërmarrjes dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë këtu në vendin tonë. Unë e di që ky komb dhe kjo shoqëri, ka një energji të madhe për të cliruar, ka vetëdije dhe dhembshuri për të mos qëndruar e pavendosur përballë kërcënimeve të mëdha, dhe, mbi të gjitha, ka kurajon për t’u bërë pjesë aktive në zgjidhjet e mëdha që kërkojnë këto kohë të vështira.

Të dashur bashkëqytetarë, Ne jemi këtu për ta nisur së bashku përballjen dhe punën për ndërtimin e të ardhmes që cdo shqiptar dëshiron dhe meriton. Dhe me forcën tuaj e vendosmërinë tonë, me ndihmën e Zotit, dhe për hir të Shqipërisë e të fëmijëve te saj, do ia dalim mbanë".

FOTOGALERI NOA/LSA