Transmetuar më 16-09-2021, 19:29

Ish kryeministri Sali Berisha lëshoi sonte një lumë kritikash ndaj Lulzim Bashës duke arritur deri aty sa t’i kërkonte falje demokratëve se nuk e kishte njohur për të tillë. Akuzat vijnë pasi Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar demokrat për shkak se SHBA e shpalli none gratë liderin historik të PD.

Sali Berisha lajmëroi demokratët se në vijim aksioni do të kurorëzohet me një referendum brenda kësaj partie nëse Basha nuk jep më parë dorëheqjen.

Ai tha se do të mblidhen firmat e 1500 delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Pas mbledhjes së tyre, "ne do thërrasim Kuvendin Kombëtar, që është forumi më i madh i partisë. Ne çdo gjë do e zgjidhim në mënyrën më demokratike. Ne do i kërkojmë Kuvendit Kombëtar që për vendimin të shprehet çdo anëtar i PD me referendum në mbarë Shqipërinë", – tha Berisha dhe shtoi: "Se kush do e udhëheqë PD-në, do e përcaktojnë demokratët me vullnetin e tyre të lirë”.

Ai akuzoi Lulzim Bashën se ka gënjyer demokratët duke u paraqitur rezultatin e 2021 si rezultatin më të mirë në krahasim me zgjedhjet e 2013-ës.

“74 mijë vota më pak, kjo është e vërteta nëse e krahasojmë me 2013-n aleancë për aleancë”, deklaroi ai.

Berisha tha se PD është në gjendjen më kritike të saj.

“PD është në gjendjen më kritike të ekzistencës së saj. Kurrë PD nuk ka qenë në një ditë të tillë. Ka 8 vite që ka humbur çdo nismë përveç ligjit të dekriminalizimit. Ka 8 vjet që ka humbur çdo aksion 100 për qind. Ka 8 vjet që para syve i shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe ajo nuk i del zot. Ka 8 vite që kalon nga disfata elektorale në disfatë.

Kjo është Partia Demokratike në ditët e sotme. Partia Demokratike humbi zgjedhjet e fundit në të cilat, Edi Rama vodhi, bleu e grabiti 2 herë më shumë vota se ne 2017. Por sërish, duhet t’ja themi vetes të vërtetën në sy, nëse Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet, as PD nuk i fitoi zgjedhjet. S’e them dot atë që nuk është”, u shpreh ai.

Berisha e quajti Bashën ish-kryetar të Partisë Demokratike dhe rrëfeu edhe një sondazh, sipas tij të kryer ditën e zgjedhjeve.

“Ditën e zgjedhjeve në darkë, pollsteri më serioz që kishim, pyet zgjedhësit demokratë, për kë votuat. Vetëm 1 e pesta e atyre thanë për Lulzim Bashën. Vetëm 19 për qind, të tjerët për PD. E kundërta ishte raporti në kampin tjetër”, tha ai.

Sali Berisha thotë se nuk ishte në dijeni të përmasave të pakënaqësisë së bazës së Partisë Demokratike ndaj Lulzim Bashës dhe thotë se këtë pakënaqësi e ka mësuar këto ditë që është takuar me bazën.

“Sinqerisht, unë nuk e dija po kam zhvilluar takime këto ditë me bazën dhe të gjithë më kanë thënë që: ne doktor, atë nuk e duam, por e mbështesim se e do ti”, tha Berisha.

Berisha akuzoi Bashën se ka spastruar PD nga njerëzit e tij.

“Ka ndodhur një spastrim i heshtur i atyre që kanë bashkëpunuar me mua dhe unë asnjëherë nuk i thashë gjë. nuk e kisha idenë unë që njerëzit mendonin kaq shumë se unë isha mbështetja e tij pa kushte. jam i bindur se kjo ka ekzistuar kur ma thanë këto ditë njerëzit që takova”, u shpreh ish-kreu demokrat.

NË PËRDITËSIM/ Ish kryeministri Sali Berisha po zhvillon tani në Tiranë një takim me demokratë ku në qendër të fjalës së tij ka kritika të ashpra për Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.

Të parin e akuzon për antikombëtarizëm kurse të dytin për mungesë respekti për sovranitetin e opozitës shqiptare.

Qindra mbështetës kanë pritur me thirrjet “Berisha, Berisha!” ish-kryeministrin, jashtë dhe brenda sallës së konferencave, ku Berisha thirri një takim me bazën dhe konferencë me mediat. Berisha ka nisur këtë të enjte turin “Foltorja”, që thotë se synon të rikthejë sovranitetin në Partinë Demokratike përmes një referendumi.

“Foltorja e shtatorit 2021 është përpjekja më e rëndësishme dhe historike e juaja për një parti demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur, më të sigurtë në të ardhmen e saj. Kjo foltore nis në një moment më kritik se në çdo kohë tjetër për Shqipërinë. Sot në parlament betohet për të tretën herë kreu i kartelit të Meduzës shqiptare, një njeri që nuk njeh norma, ligj dhe që ndërtoi narkoshtetin e vetëm në Europë”, tha ai.

"Ditë fatkeqësie kur në parlament betohet njeriu që e shndërroi Shqipërinë në dele të Ballkanit dhe të Europës", tha Berisha.

Berisha kundërshton vendimin e Lulzim Bashës që e përjashtoi nga Kuvendi.

VIDEO NOA/LSA

VIDEO NOA/LSA

VIDEO NOA/LSA

VIDEO NOA/LSA

FOTOGALERI NOA/LSA