Transmetuar më 16-09-2021, 17:36

Katër persona janë arrestuar sot për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje e ryshfetit. Një prej të arrestuarve është zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një tjetër në Ministrinë e Jashtme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të prokurorit ka ndaluar personat me inicialet J.H., A.F., B.G., me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Po ashtu u arrestua dhe personi me inicialet H.H., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Dy nga të prangosurit, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet.

Zbulimi i të arrestuarve u bë pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit me urdhëra veprimk të lëshuara nga prokurori i çështjes.

Në njoftim thuhet gjithashtu se prokurori i Shtetit lidhur me këtë rast, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve të tij ligjore.