Transmetuar më 16-09-2021, 11:48

Lulzim Basha nuk ka shfaqur interesim për të dëgjuar Ramën në Parlament. Ndërsa kryeministri prezantonte programin e qeverisë Rama 3 ai me zë të ulët fliste në telefon.

Ndërkohë siç është njoftuar Sali Berisha do të nisë sot pasdite turin e takimeve për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur. Kështu do të quhet nisma e tij, që do të startojë në Tiranë, dhe ku fton të gjithë demokratët që ti bashkohen në një hotel privat në Tiranë.

Ish-presidenti Bujar Nishani është një prej ish-zyrtarëve të lartë që i bashkohet publikisht Sali Berishës, me të cilin do të jetë pasditen e sotme në ambientet e Rogner. Në një postim në rrjetet sociale Nishani thotë se ai do të bëhet bashkë me Berishën, për një PD të bashkuat, të fortë dhe fituese.

Postimi i Nishanit:

Unë do të bashkohem me demokratët e ndershëm e të vërtetë Sot në Rogner, në 18:00 !

Për një PD të Bashkuar, të Fortë e Fituese !

Jo më PD, Peng i rregjimit të korruptuar majtist !

Nuk e dimë ende nëse Basha po fliste me të besuarit e tij që të mos shkonin në takimin të cilin do organizoj Berisha. Ish-kryeministri nuk ndodhet në sallën e parlamentit pasi duket se po merret me gjëra më të rëndësishme sipas tij siç është largimi i Bashës.