Transmetuar më 16-09-2021, 09:19

Në një periudhë të vështirë ku jeta ka marrë ritëm dhe ngjyra të tjera, nuk është e lehtë të mendosh se çfarë ushqimesh duhen konsumuar në jetën e përditshme, në mënyrë që të ushqehesh sa më shëndetshëm. Pandemia që po jetojmë, na bëri të reflektojmë më shumë rreth mënyrës së të ushqyerit por edhe mënyrës së jetesës. Shumë persona pyesin veten: Cili është regjimi më i mirë apo ushqimi më i përshtatshëm për të forcuar imunitetin?

Studimet tregojnë se ka një lidhje midis ushqimeve, nutrientëve dhe imunitetit, por nuk mund të themi se ekziston një regjim i caktuar ose ideal, i cili mund të ndikojë në rritjen e imunitetit. Mënyra e të ushqyerit e secilit prej nesh ka një impakt mbi imunitetin i cili luan një rol të rëndësishëm në ndjeshmërinë dhe në përgjigjen ndaj infeksioneve, duke përfshirë këtu edhe infeksionin nga COVID-19.

Ne nuk mund të ndryshojmë disa faktorë rreziku apo predispozitën ndaj infeksioneve, por dieta dhe mënyra e të ushqyerit, si një faktor i rëndësishëm për funksionimin e sistemit imunitar, janë të ndryshueshme. Disa studime, tregojnë një lidhje midis të ushqyerit me zarzavate dhe COVID-19, siç është, për shembull, regjimi ose dieta Mesdhetare. Një nga studimet e fundit të bëra në Europë gjatë vitit 2020 tregoi se vdekshmëria nga COVID-19 ulej deri në 13.6 % për çdo gr/ditë të konsumimit të lakrës dhe 15.7 % për çdo gr/ditë të konsumimit të sallatorit.

Po ashtu u dëshmua një ulje më domethënëse e rrezikut të vdekshmërisë nga 11-35 % për çdo gr/ditë të konsumimit të zarzavateve të fermentuara (turshitë), por çuditërisht kjo gjë nuk u vu re me konsumin e brokolit. Një studim tjetër që analizoi të dhënat dietetike të rreth 38000 pjesëmarrësve që jetonin në Angli, nga mosha 40-70 vjeç, tregoi se personat që konsumonin më shumë kafe (2-3 kafe në ditë në krahasim me <1 kafe), më shumë zarzavate dhe fëmijët e ushqyer me gji, kishin një rrezik infeksioni me COVID-19 më të ulur sesa personat që konsumonin sasi mishi në formën e sallamit, proshutës ose lloje të tjera të mishit të përpunuar, por jo mishin e kuq të papërpunuar.

Coronavirus infections in Indonesia top 200,000

Afërsisht vetëm 17% e pjesëmarrësve në studim dolën pozitiv me COVID-19. Përsa i përket konsumit të kafes, dihet se kafeja përmban sasi të konsiderueshme të polyphenol, në veçanti të acidit phenolic, dhe ka veti antioksidante and anti-inflamatore. Konsumimi i kafesë është shoqëruar me rrezik më të ulët të pneumonisë tek moshat e vjetra. Ndërsa konsumimi i zarzavateve është një burim vitaminash, folatesh, fibrash, karotenoidesh dhe flavonoidesh, të cilat kanë veti anti-inflammatore, antibakteriale dhe antivirale duke siguruar kështu mbrojtje imunitare.

Në studimin e fundit anglez, konsumatorët e të paktën 0.67 porcione zarzavatesh në ditë (të ziera ose të gjalla, përveç patateve) patën rrezik më të ulët të infektimit me COVID-19. Frutat dhe zarzavatet janë të rëndësishme në stimulimin e mikrobiomës intestinale, e cila është në linjën e parë të mbrojtjes kundër mikrobeve. Për të ruajtur imunitetin duhet një përpjestim i ekuilibruar i proteinave, duke zgjedhur gjysmën e proteinave me origjinë shtazore, si p.sh.: mish i freskët, peshk dhe vezë, dhe gjysma tjetër e proteinave duhet të jetë me origjinë bimore, si: drithërat, thjerrëzat, tërshëra, qiqrat, arrat etj.

Këto ushqime e furnizojnë organizmin me hekur, zink dhe minerale të rëndësishme për imunitetin. Gjithashtu, për të përmirësuar aktivitetin e rruazave të bardha të gjakut, është e nevojshme të konsumohen peshq të yndyrshëm, si: salmoni, sardelet, farat e linit, arrat, si dhe vajra të pasur me omega-3, si: vaji i kolzës, i arrës etj. Personat që kanë sëmundje kardiovaskulare, si: hipertensioni e sëmundjet e zemrës, ata me diabet, me kancer nën trajtim me kemioterapi, personat me sëmundje autoimune nën trajtim me imunosupresor ose ata që pinë duhan (për shkak të defiçitit imunitar) duhet të ndjekin këshilla dietetike për të përmirësuar dietën e tyre, jo vetëm gjatë periudhës së epidemisë, por dhe më pas.

Cilat janë ushqimet që duhen ngrënë apo jo, si dhe këshilla të ndryshme mbi regjimet që duhen ndjekur janë në faqen e parë të revistave, gazetave si dhe rrjeteve sociale. Konsumatorët përpiqen të gjejnë një ekuilibër midis këshillave shkencore, tendencave të marketingut, traditave të tyre në mënyrën e të ushqyerit, të ardhurave, si dhe çfarë ofrohet në tregun lokal.

Nuk ekziston ndonjë ushqim ose regjim magjik për të forcuar sistemin imunitar, por është e rëndësishme dhe e domosdoshme të ruhet një ekuilibër në zgjedhjen dhe konsumin e ushqimeve. Një imunitet i mirë fitohet duke kombinuar një ushqim të shëndetshëm dhe një aktiviteti fizik të rregullt. Ky kombinim luan rol të rëndësishëm në ekuilibrin e stresit, florës intestinale dhe gjumit.

Përgatitur nga Heda.al