Transmetuar më 16-09-2021, 08:40

Ajo që sapo përfundoi ishte një nga sesionet më të nxehta të merkatos verore ndonjëherë. Ronaldo iku nga Juventusi te Manchester United, Messi la Barcelonën për “t’u martuar” me PSG, ndërkohë që zërat e shumtë për lëvizjen e mundshme të Mbappe drejt Real Madridit arritën kulmin.

Një marrëveshje që nuk përfundoi kurrë, pavarësisht skadimit të kontratës së talentit francez në qershor 2022. Pra, nga janari ai është i lirë të negociojë me kë të dojë, pa pasur asnjë detyrim karshi parizienëve.

Pikërisht për të ardhmen e fenomenit francez ndërhyri Leonardo, drejtori i PSG, duke lënë pak hapësirë ​​për interpretim: "Unë nuk e shoh Kylian të largohet në fund të këtij sezoni. Marrëdhënia e Mbapé me PSG është e thellë. Ne nuk mendojmë për asgjë tjetër. Askush këtu nuk e sheh të ardhmen pa të.

Fakti që Mbappé mbeti ishte alternativa e vetme që mund të ndodhte. Ne kurrë nuk kemi menduar t’i bëjmë të gjitha këto pa Kylian. Ju e dini historinë. Ne nuk ishim të kënaqur me sjelljen e Real Madridit. Si mund të ndërhysh ashtu në javën e fundit të merkatos, duke filluar negociatat për një nga lojtarët më të mirë në botë…?!

Ne ishim të qartë në lidhje me ofertën që madrilenët bënë. Nuk ishte e mjaftueshme nga pikëpamja jonë. Ishte më pak se sa e kemi blerë te Monaco. Oferta e tyre e fundit? Ajo nuk mbërriti kurrë".