Transmetuar më 17-09-2021, 10:45

Pas javëve të para të kampionatit, sezoni 2021-2022, tani është gati të ndizet rivaliteti në Itali. Hapësirë ​​për futbollin e luajtur, por jo vetëm. Edhe një herë, pikëpyetja që ngrihet është mbi të ardhmen e këtij sporti, i cili, sipas Aurelio De Laurentiis, ka nevojë për një operacion të rëndësishëm rinovimi.

Ky proces mund të bazohet vetëm në përcaktimin e një gare të re, që rikthen qëndrueshmërinë financiare dhe i vendos klubet europiane në qendër të gjithçkaje. Gjatë një interviste për “Daily Mail”, presidenti i Napolit ngriti alarmin:

"Sistemi nuk funksionon më. Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës nuk krijojnë të ardhura të mjaftueshme për klubet, që të garantojnë pjesëmarrjen në to. Për të qenë konkurrues, keni nevojë për më shumë lojtarë të nivelit të lartë. Kjo do të thotë që duhet të shpenzoni më shumë, por çmimet e para në kompeticionet evropiane nuk e marrin parasysh këtë”.

Cila është zgjidhja? Sipas drejtuesit të lartë napolitan, shpëtimi qëndron te krijimi i një kompeticioni të ri: "Kjo është arsyeja pse klubet duhet të flasin me njëri-tjetrin për të krijuar një garë më moderne dhe fitimprurës për të gjithë pjesëmarrësit. Ne duhet të zvogëlojmë numrin e ndeshjeve, duke zvogëluar praninë e përfaqësuesve të ligave më të mira në të gjithë Evropën.

Përveç kësaj, duhet të krijojmë një kampionat evropian me një sistem përfshirjeje demokratik, bazuar në atë që ekipet arrijnë në kampionatet e tyre kombëtare. Unë kam shqyrtuar një projekt të gatshëm për të sjellë 10 miliardë euro në futbollin evropian, por kjo kërkon vullnet dhe pavarësi totale".

Qëllimi i tij është që të afrojë me futbollin atë brez njerëzish që gradualisht po largohen nga stadiumet: "Nëse ne nuk ndryshojmë rregullat e lojës dhe e bëjmë atë një shfaqje më të mirë, të rinjtë do të na braktisin dhe futbolli nuk do të jetë më pjesa qendrore e jetës sonë. Hulumtimi im më thotë se njerëzit midis moshës 8 dhe 25 vjeç kanë ndaluar së shikuari futboll, madje edhe së luajturi.

Ata preferojnë më shumë të luajnë me telefonat inteligjentë. Celulari po i transformon plotësisht fëmijët tanë. Unë nuk po them se zakoni i shikimit të futbollit drejtpërdrejt në një stadium do të vdesë, por ne tani kemi ‘stadiumin virtual’, i cili mund të tërheqë miliarda njerëz për të luajtur kundër njëri-tjetrit”.