Transmetuar më 14-09-2021, 20:56

Në Zvicër kanë humbur jetën që nga nisja e pandemisë, 500 qytetarë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Më shumë se 18.750 të tjerë janë infektuar me koronavirusin e ri Sars-Cov-2, raporton noa.al duke cituar gazetën në Zvicër, Le Canton 27.

Ajo pasqyroi sot se viktimat më të shumta, rreth 200 janë në Zyrih ku edhe ka një përqendrim më të lartë të shqiptarëve.

E përditshmja tjetër zvicerane 20 Minuten raporton se 20 vdekje u raportuan në Vaudi dhe afërsisht 100 viktima në radhët e shqiptarëve janë regjistruar në Gjenevë.

Një agjenci funerale në Zvicër, bën transportin e të ndjerëve nga ky vend për në vendlindjen e shqiptarëve me qëllim përcjelljen e tyre në banesat e fundit.

Ata thonë se kanë dërguar vazhdimisht arkivolë me të ndjerë të vdekur nga kovidi, kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por edhe në Mal të Zi, Preshevë dhe Sanxhak.

Agjencia funerale pohon se gjatë kësaj pandemie ka transportuar të paktën 50 deri 60 trupa çdo muaj. Ajo shton se kohët e fundit ka një rënie domethënëse të vdekjeve nga virusi fatal.