Transmetuar më 14-09-2021, 16:48

Kryeministri Edi Rama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë që noa.al jua sjell të zbardhur më poshtë.

Për kancelaren Angela Merkel, BE duhet të mbajë premtimin sa i takon procesit të integrimit, nëse sheh se kushtet e përcaktuara janë plotësuar.

“BE, shtet anëtare do të duhej të thonë kriteret kushtet për tu ërë pjesë. Në rastin e Shqipërisë e kemi thënë qartësisht se cfarë duhet të ndryshoni në sistemin e drejtësisë, apo sektorë të tjerë. Dhe në momentin që këto kushte plotësohen do të duhej që BE të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte te reja, spese për shkaqe të politikës së brendshme në vende të caktuara kjo nuk është e mundur. Kjo sjell zhgënjim, e unë kam mirëkuptoj për zhgënjimin këtej” u shpreh Merkel.

Konferencë e përbashkët për median e Kryeministrit Edi Rama me Kancelaren gjermane Angela Merkel, në përfundim të vizitës së saj në Shqipëri:

Kryeministri Edi Rama: Dua të them që kjo është njëkohësisht, një ditë e bukur për ne dhe një ditë e trishtuar. Është një ditë e bukur sepse kemi privilegjin të presim në Tiranë, një mike të Ballkanit, të shqiptarëve dhe të gjithë popujve të këtij rajoni. E njëkohësisht, një ditë e trishtuar sepse, në njëfarë mënyrë, është edhe vizita e lamtumirës e Angela Merkel si Kancelare e Gjermanisë.

Unë besoj që askush nuk ka bërë për këtë rajon, pas kapërcimit të luftës, më shumë sesa Kancelarja gjermane dhe ajo që është akoma më e rëndësishme, sipas meje, është që askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Kancelarja gjermane.

Me Kancelaren është gjithmonë një problem, sepse nuk i ka qejf fjalimet me shumë fjalë të bukura, por njëkohësisht është shumë e sinqertë edhe shprehja e fjalëve më të mira lidhur me çka ajo bëri, duke iniciuar Procesin e Berlinit, një Proces, i cili është një vizion largpamës, jo thjeshtë për të kaluar një fazë disavjeçare, por për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku. E përtej të gjitha rezultateve konkrete, në aspektin e fushave që mbulon Procesi i Berlinit, besoj që arritja më e madhe e këtij Procesi është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe e sensit të së ardhmes së përbashkët.

Sot ishte privilegj që Kancelarja të ishte në Tiranë, në pamundësi për të vizituar të gjithë vendet dhe këtu të kishim edhe takimet bilaterale, edhe takimet me të gjithë liderët e rajonit tonë. Dua t’i shpreh mirënjohjen, falënderimin dhe miqësinë më të sinqertë, në emër të të gjithë shqiptarëve, për atë çka Gjermania ka bërë për Shqipërinë, – nuk po hyj t’i numëroj se janë shumë në aspektin e mbështetjes bilaterale – dhe për atë çka Kancelarja personalisht ka bërë për rajonin.

Nga ana tjetër, duke e respektuar maksimalisht faktin që Kancelarja është një lider që drejton Gjermaninë prej shumë e shumë vitesh, por që asnjëherë nuk ka munguar t’i japë zemër politikës europiane, por njëkohësisht është gjermane dhe kohën e ka të shtrenjtë, oraret i ka të rëndësishme. Nuk dua të marr kohë më të gjatë, dua vetëm të them se sot, Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë, seç ishte përpara sesa Angela Merkel të niste Procesin e Berlinit. Patjetër që, pavarësisht se do të ketë vazhdimësi në politikën gjermane, cilido qoftë fituesi, Angela Merkel do t’i mungojë këtij rajoni dhe ma ha mendja që interesi i të gjithëve këtu, me të drejtë, është të dëgjojmë më shumë fjalët e saj sesa fjalët e mia.

Ndaj po kaloj fjalën, duke i shprehur edhe njëherë të gjithë mirënjohjen, falënderimet dhe duke i thënë që ishte një privilegj, ishte një nder, ishte një kënaqësi që unë të kisha këtë detyrë në të njëjtën kohën me të, që të kisha mundësinë të njihesha me të, të kisha mundësinë të mësoja prej saj dhe sipas meje, modestisht, sot është një moment ku të gjithë ne jemi të vetëdijshëm, qoftë për çka Kancelarja ka bërë, qoftë për boshllëkun që ajo lë.

Shpresoj që më herët se vonë ky boshllëk të mbushet, por patjetër që pa Kancelaren Merkel, Ballkani  nuk do ishte njësoj siç është sot, as Europa nuk do ishte siç është sot, pavarësisht sfidave dhe problemeve që mbeten të pazgjidhura.

E fundit, Kancelarja, e cila në detyrën e saj ka pasur impenjime në të gjithë globin, tani do jetë më e lirë në një kohë më të afërt dhe shpresoj shumë që do ketë kohën dhe dëshirën të rikthehet në Ballkan, të rikthehet në Shqipëri për të lexuar më nga afër realitetin tonë dhe në njëfarë mënyre, për gjithë ato vite ngarkese dhe pune, për t’u shpërblyer me diellin, me detin, natyrën dhe humorin e Ballkanit, që të paktën në këtë fushë është shumë përpara Bashkimit Europian.

Kancelarja Angela Merkel: Për humorin, ndoshta do të duhej të thelloheshim disi më shumë, për sa i përket diellit, jam dakord me ju.

I dashur Edi Rama, unë dëshiroj t’ju falënderoj në rolin e Kryeministrit, që pjesën e parë të ditës mundëm të realizonim së bashku një vizitë bilaterale, duke trajtuar gjithashtu dhe tema bilaterale. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë vërtetë mjaft të mira. Ne mund ta zgjerojmë më tej bashkëpunimin tonë dhe këtë e kemi bërë të qartë në mënyrë të shumëfishtë.

Do dëshiroja të uroja dhe përgëzoj Shqipërinë për të gjitha përpjekjet që ka ndërmarrë vitet e fundit, për të ristrukturuar sistemin e vet të drejtësisë. Sikundër Shqipëria, ashtu dhe Maqedonia e Veriut besoj që i kanë përmbushur kushtet e caktuara për të nisur negociatat e anëtarësimit. Për fat të keq, kjo nuk u realizua dot gjatë Presidencës së Këshillit nga Gjermania, për shkak të vetos së Bullgarisë, por ne kemi premtuar gjithashtu që do të jemi pranë këtij Procesi, pasi në të është investuar vërtetë shumë forcë dhe energji.

Në kuadër të drekës me të gjithë kryetarët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor kam patur kënaqësinë që prej idesë së vitit 2014 për inicimin e një procesi bashkëpunimi, prej tij ka rezultuar tanimë një bimë mjaft e fuqishme. Shumëçka ka ndryshuar në bashkëqenësinë e këtyre popujve dhe vendeve me njëri-tjetrin. Kryetarët e shteteve dhe qeverive takohen në mënyrë të vazhdueshme dhe normale me njëri-tjetrin, çka më parë nuk ka qenë kështu.

Së dyti, i tërë bashkëpunimi, nëse është shoqëria civile apo shkëmbimet rinore apo shkenca, bashkëpunimi në të gjitha këto dimensione është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme.

Kemi folur gjithashtu dhe për projekte mjaft të rëndësishme infrastrukturore, në të cilat shikohen tanimë rezultatet e para. Kemi folur për nisjen e punimeve të Autostradës së Paqes.

Një temë tjetër e rëndësishme që nuk duhet nënvlerësuar dhe rreth së cilës ne folëm, ishte që në momentin që vendet e këtij rajoni do të bashkohen me Bashkimin Europian do të jenë vende që do të vendosen përpara detyrimeve të “Fit for 55”, pra, detyrime, të cilat do duhet t’i përmbushin lidhur me neutralitetin e klimës, kushte të cilat do duhet të ndryshoheshin në rajon.

Sigurisht, këtu ka shumë mundësi bashkëpunimi rajonal dhe unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal me katër marrëveshjet, sikundër i quajmë. Jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në të njëjtin nivel në këto marrëveshje, disa janë tashmë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar për t’ju bashkuar kësaj iniciative, por sot, ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më mirë e aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit.

Edhe një herë e qartësova, Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Negociatat e anëtarësimit të secilit prej vendeve do të zhvillohen. Vendet kanë statuse të ndryshme lidhur me këtë. Disa janë duke pritur konferencat ndërqeveritare, të tjerë kanë hapur kapituj anëtarësimi. Dikush nuk ka bërë ende një kërkesë për anëtarësim, pra, kemi shkallë të ndryshme. Në secilin prej këtyre shkallëve do duhej që të ishim energjikisht të involvuar, por, sigurisht, nga ana tjetër, paralelisht mund të vijohet edhe bashkëpunimi rajonal, i cili bën më tepër sens, sesa duke implementuar projekte kombëtare.

Ishte një diskutim konstruktiv. Unë tani do të vijoj bisedat bilaterale me shefat e qeverive të vendeve të rajonit, të cilat nuk munda t’i vizitoj. Që tani mund të themi që në datën 6 tetor do të takohemi sërish nën Presidencën Sllovene të Këshillit të Bashkimit Europian, duke shpresuar që deri në atë moment do të kemi arritur progres të caktuar.

Ishin biseda të mira, konstruktive. Dëshiroj të falënderoj lidhur me këtë. Fakti që unë jam e bindur që në këndvështrimin gjeostrategjik, Bashkimi Europian apo më konkretisht, Gjermania, vendi të cilin unë përfaqësoj këtu, ka një interes të vetin në anëtarësimin e këtyre vendeve në BE, por sigurisht është diçka tjetër, po themi, procesi i  bashkëpunimit në nivel rajonal, një ide, e cila është pranuar nga BE-ja apo nga këndvështrimi gjerman. Nëse ju takoheni kjo është e drejta juaj dhe unë këtë e përshëndes vërtetë shprehimisht dhe shpresoj shumë që të vijoni në këtë drejtim. Zemra ime rreh për këtë rajon, edhe pse nuk do të kem mundësinë të vesh të njëjtën detyrë sikundër deri më tani. Sikurse ju e thatë, ndoshta do të më ngacmojë, nxisë dielli të vij e të ndjek zhvillimin e këtyre vendeve.

I uroj mirëqenie, prosperitet, vende pune, paqe, të gjithë këto të vazhdojnë të ruhen në rajonin tuaj dhe ia vlen të punojmë që të jetë kështu.

Nga ana e Gjermanisë do të vazhdojë të ketë vazhdimësi në interesimin dhe mbështetjen e mëtejshme.

– Rëndësinë që ka për ju Ballkani Perëndimor u tregua dhe me këtë vizitë tuajën në Tiranë dhe Beograd. Në këndvështrimin tuaj, a mund të quhet dështim nisma juaj e vitit 2014, Procesi i Berlinit, sepse Kryeministri e tha që kemi një klimë më të mirë në Ballkanin Perëndimor, por sa i takon Procesit të Integrimit jemi në të njëjtën situatë si në vitin 2014, me pak progres duhet thënë dhe në atë nismë janë parashikuar dhe projekte konkrete, që asnjëra deri tani nuk ka marrë rrugën e zbatimit. Ju e quani dështim këtë dhe si do shkojë fati i kësaj nisme tani me largimin tuaj? Ndërkohë që për Open Balkan, besoj që e konsumuat si çështje. E njëjta pyetje për Kryeministrin. Ju e shikoni dështim Procesin e Berlinit?

Kancelarja Angela Merkel: Jo, në fakt nuk e konsideroj si të tillë. Nuk mund të themi se është mbaruar ndërtimi i autostradave të synuara, por në planifikim janë procese të iniciuara, me një rrjet të shkëmbimeve rinore në vendet e Ballkanit kemi shkëmbime në nivel shkencor. Që nuk ka ndodhur gjithçka nuk mund ta themi absolutisht. Përsa i përket bashkëpunimit në nivel të shoqërisë civile, unë jam takuar me përfaqësues të një organizate joqeveritare në vendin tuaj, të cilët më kanë shpjeguar sesi janë duke u zhvilluar këto shkëmbime. Mendoj se shumëçka ka ndryshuar në këtë drejtim. Alexandër Vucic dhe Edi Rama, duke pasur parasysh se për një kohë të gjatë nuk ka pasur shkëmbime qysh prej 1947-ta deri në 2017-ën, por mendoj se që prej këtij momenti që ata janë takuar, kanë ndryshuar shumë gjëra. Ndoshta diçka merr më tepër kohë sesa duhet, përsa i përket procedurave të planifikimit, ndoshta dhe BE-ja nuk është aq i shpejtë sa do duhej në këtë drejtim, por shumëçka është në rrugën e duhur.

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se duhet ta shikojmë të gjithë këtë Proces në një kontekst historik. Kur Kancelarja na ka ftuar në Berlin në 2014-ën, ishte hera e parë në historinë e këtij rajoni dhe jo në historinë disavjeçare, por në historinë shekullore të këtij rajoni që liderët e të gjitha vendeve uleshin në një tryezë jo për t’u vrarë, as për t’u therur, as për të folur për të shkuarën, por për të folur për të ardhmen.

Për të vazhduar argumentin e saj, ky Proces i hapi rrugë një vendosjeje të një komunikimi mes Shqipërisë dhe Serbisë në funksion të zhvillimit rajonal, në kushtet kur, pavarësisht distancës së afërt, nuk ishin takuar kurrë. Sigurisht që Procesi Berlinit ka nevojë për kohën e vet. Mekanizmat për t’u vënë në lëvizje në funksion të investimeve janë mekanizma të avashtë, por ama, edhe Ballkani i Hapur, që sot ne e kemi si një nismë të tre vendeve që synojnë të përfshijnë të 6 vendet, është rezultat i këtij Procesi, sepse ky Proces na ka dhënë mundësinë që të kuptojmë se nga bashkëpunimi, nga komunikimi, nga ndërveprimi, ne mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Edhe konfliktet e trashëguara me vite e vite, në atmosferën e krijuar nga Procesi i Berlinit kanë më shumë mundësi zgjidhjeje.

Unë besoj se në historinë e këtij rajoni, – këto gjëra i kam më të lehtë t’i them kur nuk është prezentë Zonja, sepse nuk i duron dot këto fjalët që tingëllojnë si komplimente, por ky nuk është kompliment, – Angela Merkel ka vendosur një gur kilometrik për gjenerata të tëra dhe do jenë gjeneratat që do gjykojnë me objektivitet, çfarë ka nisur në 2014-ën në tryezën e Kancelares. Natyrisht që është legjitime për të gjithë ata që jetojnë në këtë rajon, që duan që gjërat të bëhen më shpejt, por duhet të kuptojmë se jemi duke kapërcyer dhjetëra e pse jo qindra vjet histori dhe njëkohësisht jemi duke luftuar me një prapambetje që është shumë e thellë dhe që vjen nga shumë larg. Unë jo vetëm që nuk e quaj dështim, por e quaj realisht një vizion afatgjatë që do kalojë nga një qeveri në një tjetër, nga një gjeneratë në tjetrën, për të realizuar këtu në rajonin tonë, atë që Kancelarja ka paraparë.

Kancelarja vjen nga një e shkuar që është e ngjashme me tonën. Nuk e kemi pasur dhe nuk do ta kemi, më duket, për shumë kohë, në lidershipin e politikës europiane, dikë që di çfarë është komunizmi, çfarë është diktatura, çfarë është censura dhe ndrydhja e lirive dhe të drejtave të njerëzve, në vetë të parë. Kjo ka bërë që qasja e jo vetëm e Kancelares, por e gjithë Gjermanisë të jetë një qasje unikale. Uroj dhe shpresoj që kushdo që do marrë stafetën të mos i kthejë kurrizin rajonit dhe të vazhdojë të ndikojë. Por, sido që të shkojë puna në Berlin, rajoni e ka marrë kthesën dhe Ballkani i Hapur është pikërisht vetëdija se ne do i çojmë gjërat përpara, pa pritur që të na marrin të tjerët përdore, por natyrisht, duke bashkëpunuar ngushtë me Gjermaninë e duke bashkëpunuar ngushtë me Bashkimin Europian.

*- E nderuar Zonja Kancelare, i nderuar Zoti Kryeministër, vende si Shqipëria kanë bërë përvojën që të gjitha përvojat apo eksperiencat për anëtarësimin në BE nuk ndihmojnë nëse dikush vë të drejtën e vetos. Çfarë shpresash keni ju, nisur nga takimet dhe bisedimet e sotme? Një pyetje drejtuar Kancelares federale. Nëse, a mund të përfytyroni që edhe pas periudhës së detyrës suaj si Kancelare federale, të mund të ndërmerrni një rol aktiv si ndërmjetëse e interesave të Ballkanit?

Kancelarja Angela Merkel: Unë nuk kam ndërmend të luaj një rol aktiv politik, por do vazhdoj të mbetem mike e Ballkanit Perëndimor, do vazhdoj të jap këshilla, nëse do pyetem për këshilla dhe përvoja që dikush të vërë veton e vet për të bllokuar procesin, është një përvojë që e kemi bërë disa herë. Ky nuk është një specialitet që ka të bëjë vetëm me rastin e Shqipërisë apo të Maqedonisë së Veriut. Unë jam shpresëplotë dhe jemi përpjekur në këtë drejtim edhe në kontekstin e Presidencën gjermane të Bashkimit Europian, pikërisht për të dhënë mbështetjen tonë aktive në këtë drejtim. Kemi bërë njëfarë pune, kemi pasur disa arritje në këtë drejtim. Sigurisht që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pasur mbështetjen e të gjitha vendeve të BE-së për të hapur negociatat. Bëhet fjalë tani për Konferencën Ndërqeveritare dhe me siguri ka mirëkuptim për gjitha shenjat e padurimit që tregohen prej këtyre vendeve në këtë drejtim.

Kryeministri Edi Rama: Nëse unë mund të përgjigjen, unë dua të them këtë; dikur, kur venet e Ballkanit ishin në konflikte të mëdha apo sapo dilnin nga konfliktet, thuhej që Procesi i Integrimit Europian do të zbuste dhe do relativizonte nacionalizmin në Ballkan dhe kjo është e vërtetë. Por ne sot jemi peng të nacionalizmave në Bashkimin Europian. Në Bashkimin Europian nuk kemi sot, ende, asnjë qeveri nacionaliste, por për fat të keq, në disa vende nacionalistët dhe ekstremi i djathtë ndikojnë në vendimmarrjen e qeverive të moderuara. Kjo është e para dhe faktikisht, edhe kjo që po ndodh sot është pengmarrje e Procesit të Integrimit nga një vlagë nacionalizmi në një vend.

Unë mendoj që, duke qenë se Kancelaren e kemi këtu, asnjëherë deri më sot, edhe pse presionet kanë qenë të mëdha edhe në Gjermani, Kancelaria nuk e ka lidhur Procesin e Integrimit të vendeve të rajonit me politikën e brendshme, ndërkohë nuk mund të them të njëjtën gjë për vendet e tjera. Ashtu sikundër Angela Merkel i shpëtoi nderin Europës, ku e vetme qëndroi për të hapur dyert për emigrantët, refugjatët që vinin nga Siria, ashtu edhe në këtë aspekt, presioni i brendshëm nuk është bërë kurrë politikë e jashtme Gjermanisë. Sigurisht që ne jemi dhe mund të jemi për një kohë të gjatë pengje të vetove që lidhen me zgjedhjet nëpër vende të pasura, por jo vetëm të pasura tanimë, por edhe më pak të pasura të Bashkimit Europian.

-E nderuara Zonja Kancelare, me largimin tuaj Ballkani Perëndimor humb një mike të jashtëzakonshme, një avokate të fortë do thoja. Kush mendoni se nga kolegët tuaj udhëheqës të Bashkimit Europian mund të kujdeset njësoj me atë përkushtim që u kujdesët ju për Ballkanin Perëndimor?

– Kryeministër Rama, në axhendën e udhëheqësve të Ballkanit perëndimor, kush duhet të prevalojë, Open Balkan apo Procesi i Berlinit? Faleminderit!

Kancelarja Angela Merkel: Procesi i Berlinit, nëse më lejoni të them, është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht, në këtë kontekst, Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij Procesi.

Pikë së pari, Ballkani Perëndimor vitet e fundit ka mësuar të bashkëpunojë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm të qëndrojnë ulur me njëri-tjetrin. Nuk ka rëndësi nëse është Sebastian Kurz apo Emmanuel Macron apo Von der Leyen apo Charles Michel, pra, ka shumë miq të Ballkanit Perëndimor.

Emmanuel Macron e ka vizituar të gjithë rajonin. Kemi zhvilluar bashkërisht takime në Berlin, sikundër kemi dhe punuar së bashku, në kuadër projektesh të ndryshme. Sebastian Kurz është gjithashtu një mik i rajonit dhe çdo Kancelar tjetër federal do të jetë mik i këtij rajoni. Secili prej këtyre vendeve ka shumë njerëz në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, të cilët punojnë dhe jetojnë atje, ndaj dhe interesi për të bashkëpunuar me këtë rajon është vërtet i madh dhe këtë e kemi treguar jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës time, por dhe përpara kësaj. Unë vij, sikundër tha Kryeministri Rama, nga ish Gjermania Lindore. Kam parë se çfarë force, energjie do duhet për të kapërcyer diferencat historike, në kontekstin tonë përkundrejt Polonisë, apo përkundrejt nacional- socializmit. Pra, Kancelari federal është i vetëdijshëm përkundrejt kësaj përgjegjësie. Ballkani Perëndimor ka shumë miq në Europë dhe më lejoni t’jua siguroj këtë.

Kryeministri Edi Rama: Meqë Kancelarja iu përgjigj dhe pyetjes sime, më lejoni t’i përgjigjem unë dhe pyetjes së Kancelares. Angela Merkel është një dhe nuk vjen më, që të jemi të qartë, – pavarësisht se e thashë, nuk është asnjëherë e lehtë të flasësh kur është prezente, – për arsye të historisë së saj e për arsye të eksperiencës së jashtëzakonshme në katër mandate rresht në krye të lokomotivës së Bashkimit Europian.

Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë me Procesin e Berlinit, është pjellë e Procesit të Berlinit. Open Balkan është as më shumë e as më pak, por një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit, kaq. Nuk ka Open Balkan asgjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit, përkundrazi është marrja në dorë e Procesit, pa pritur që një herë në vit të mblidhen diku të tjerët për ne, apo që disa të tjerë në Bruksel ta bëjnë këtë punë për ne dhe rezultatet kanë filluar të flasin dhe do flasin gjithmonë e më shumë. Open Balkan është asgjë më shumë, sesa mjeti i rajonit për të implementuar Procesin e Berlinit.

Kush i vendos këto të dyja kundër njëra tjetrës apo kush thotë që njëra bie ndesh me tjetrën, ose e bën me qëllim, ose nuk e kupton. Gjëja tjetër e rëndësishme, që me Kancelaren sot kemi diskutuar bashkë me kolegët, është që teoritë e konspiracionit, “jo po Procesi i Berlinit apo Open Balkan apo nismat rajonale janë të organizuara nga forca të treta, apo janë të hedhura këtu nga Bashkimi Europian, për të na gënjyer ne që ne të krijojmë këtu një mikro BE që të mos na fusin kurrë në BE” – janë dokrra.

Kancelarja në 2014-ën, në tryezën e Kancalerisë ka thënë këtë shprehje: Ju nuk jeni në Bashkimin Europian, por ju jeni europianë, e pikërisht për këtë arsye, ne duhet të nisim një proces që paralelisht me punën individuale të çdo vendi për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian, ju sëbashku dhe ne në mbështetjen tuaj të punojmë që rajoni të ngrihet nga pikëpamja politike, ekonomike e sociale. Pra, paralelisht. Nuk kemi pse presim që të hyjmë në Bashkimin Europian që të ndërtojmë autostradat apo të ndërtojmë infrastrukturën dixhitale apo të ndërtojmë tregjet e përbashkëta. Nuk kemi, ky është thelbi.

– Kam një pyetje për shumë të nderuarën Kancelaren Merkel. Zonja Merkel, çfarë hapash mendoni se duhet të ndërmarrë Bashkimi Europian për t’ju afruar përqasjes së tij ndaj vlerësimit tuaj shumë të theksuar sëfundi, që është në interesin gjeostrategjik të Bashkimit Europian, hyrja sa më parë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të jenë pjesë e këtij blloku? Faleminderit!

Kancelarja Angela Merkel: Në fakt, Bashkimi Evropian, shtetet anëtare të BE do duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kriteret, cilat janë kushtet për t’u përmbushur për t’u bërë pjesë e BE apo për të nisur procesin e anëtarësimi dhe këtë në rastin e Shqipërisë e kemi thënë qartësisht se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë apo në pikat e tjera, sektorë të tjerë e në momentin që këto kushte plotësohen, do duhej që Bashkimi Euorpian të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera, sepse për shkaqe të politikës së brendshme në vende të caktuara, kjo nuk është e mundur. Kjo sjell pastaj zhgënjim dhe unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që rezulton së këtejmi. Sigurisht edhe ne në Gjermani kemi nevojë dhe për çdo herë për miratimin e parlamentit dhe parlamenti im lexon me mjaftë saktësi të gjitha raportet e Komisionit të Bashkimit Europian lidhur me përmbushjen e kushteve. Ata vetë shkojnë në rajon, shikojnë vendin, flasin me NGO, me shoqërinë civile e të tjera dhe më duhet të them që pikërisht që në momentin që konstatohet që kushtet janë të përmbushura atëherë duhet të mbahet fjala sepse përndryshe kemi zhgënjim. Ne duhet të dimë t’i besojmë njëri-tjetrit.

– Një pyetje për Kryeministrin Rama. Çfarë objektivash ka qeverisja juaj në mandatin e saj të tretë nga fakti që dy qeveritë tuaja të mëparshme kanë ndjekur që në lindjen e tij Procesin e Berlinit? Pra, çfarë objektivash keni për të çuar përpara arritjet e Procesit të Berlinit sidomos duke u fokusuar në bashkëpunimin rajonal dhe në forcimin dhe elasticitetin e ekonomisë së Shqipërisë? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Kjo është shumë e thjeshtë. Kancelarja me të drejte i mëshon në mënyrë të vazhdueshme nevojës që të gjashtë vendet të nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Faktikisht, procesi i dakordësimit mes gjashtë vendeve është një proces i ngatërruar dhe ajo që kemi parë në të shkuarën është që shpesh herë një vend apo një tjetër bëhen shkak që të gjithë të ngecin. Prandaj Ballkani i Hapur është krijuar jo për të përjashtuar njeri, absolutisht, por për të mos u varur nga vetot e njërit dhe nga teoritë e konspiracionit të tjetrit, por për të ecur përpara, gjithmonë duke pasur parasysh gjithë “road map” të Procesit të Berlinit. Në fund të ditës, Procesi i Berlinit dy gjëra ka; Katër liritë e Bashkimit Europian në rajon, lirinë e lëvizjes së njerëzve, lirinë e lëvizjes së kapitaleve, të mallrave dhe të shërbimeve dhe investimet që vijnë nga Paketa e Komisionit të Presidentes Von der Leyen.

Përsa i përket investimeve, ky është një proces që ecën paralelisht. Përsa i përket këtyre katër lirive, ky është një proces vullneti dhe shpejtësie. Ne duam të ecim më shpejt dhe dua ta theksoj këtu që pengesa për të ecur më shpejt, një nga pengesat, ka qenë që Serbia nuk e pranonte lëvizje e lirë të njerëzve. Pse? Sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementët, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar dhe faktikisht sot është pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan. Kaq e thjeshtë është. Traseja është e shtruara, Procesi i Berlinit është  një proces që do të vazhdojë. Open Balkan është një mekanizëm për ta përshpejtuar, kaq. Nuk ka absolutisht asnjë kontradiktë mes të dyjave". //