Transmetuar më 14-09-2021, 14:28

Zlatan Ibrahimovic nuk do të luajë ndaj Liverpool-it në ndeshjen debutuese të Milanit në Ligën e Kampionëve. Kampioni suedez mbetet në Milano për shkak të një problemi me tendinën e Akilit.

Sulmuesi “i pavdekshëm” nga Malmoe, që mbush 40 vite brenda pak ditëve, u detyrua të ndalej nga një vuajtje që nuk ishte serioze, por e tillë sa të kërkonte maturi.

Përjashtimi nga lista e skuadrës është një masë paraprake e përbashkët, marrë nga stafi mjekësor, trajneri dhe vetë sulmuesi kuqezi, duke qenë se jemi në fillim të sezonit.

Kujtojmë se Ibra sapo është kthyer nga operacioni artroskopik i gjurit, të cilin e kreu në qershor. Ai luajti një pjesë loje në fitoren e fundit 2-0 kundër Lazio, ku shënoi njërin nga golat.

Trajneri Stefano Pioli e konfirmoi këtë mungesë të madhe: "Zlatan ka një shqetësim te dëmtimi që ka patur. Të mërkurën do luante titullar, por me lëndimin e sotëm nuk dua ta rrezikoj dhe si masë paraprake nuk po e grumbulloj me ekipin për nesër".