Transmetuar më 17-09-2021, 07:07

Drejtësia franceze ka “varrosur” ankesën e paraqitur nga trajneri francez, Didier Deschamps, kundër ish-lojtarit Éric Cantona. Ky i fundit aludoi për motivime raciste të trajnerit të “gjelave” në bërjen e listës së skuadrës për “Euro 2016”.

Siç treguan mediat transalpine dje, Gjykata e Apelit në Paris e anuloi procedurën, duke konsideruar, siç kishte bërë tashmë edhe shkalla e parë, se padia për shpifje nuk ishte e qartë.

Deschamps shkoi në gjyq pasi Cantona tha në një intervistë me gazetën britanike “The Guardian” më 2016 se përzgjedhja e trajnerit të Francës për Kampionatin Europian të atij viti, e cila nuk përfshinte Karim Benzema dhe Hatem ben Arfa, ishte bërë me arsye raciste:

"Deschamps ka një mbiemër shumë francez. Ai mund të jetë i vetmi në Francë që ka një mbiemër vërtet francez. Askush në familjen e tij nuk është përzier me askënd. Ashtu si Mormonët në SHBA. Është e qartë se Benzema dhe Ben Arfa janë dy lojtarët më të mirë francezë dhe ata nuk do të jenë në Kampionatin Europian për arsye raciste të trajnerit".

Ish-futbollisti i Manchester United la të kuptohej se mungesa e këtyre dy lojtarëve kishte të bënte me "origjinën e tyre nga Afrika Veriore". Këto deklarata erdhën menjëherë pasi Benzema akuzoi Deschamps se i ishte nënshtruar "presionit nga një pjesë raciste e Francës", kur hartoi listën.

Ditë më vonë, shtëpia e trajnerit të kombëtares franceze në Biarritz, në pjesën baske franceze, u mbulua me grafite ofendimesh raciste. Episodi i shkaktoi shqetësim të madh trajnerit, i cili nuk e ka fshehur kurrë dhimbjen që pësoi nga ato akuza.

Sulmuesi i Real Madridit pushoi së thirruri me ekipin kombëtar francez në tetor 2015, pasi u akuzua për bashkëpunim në një rast shantazhi me një video seksuale karshi futbollistit Mathieu Valbuena. Gjyqi për atë rast, për të cilin ai mund të dënohet deri në 5 vite burg, do të hapet më 20 tetor në Gjykatën e Versajës, pesë muaj pas kthimit të tij në ekipin kombëtar.