Transmetuar më 13-09-2021, 22:12

Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se nuk ka pasur asnjë komunikim me Lulzim Bashën që pas ditës që ky i fundit e përjashtoi nga grupi parlamentar. “Jo, asnjë komunikim. Nuk ka tentuar, nuk kam tentuar”, – tha ai.

Ndërkohë nga ana e kreut aktual demokrat qëndron ende ftesa që bëri për një takim me Berishën.

Ish presidenti shtron pyetjen: “Për çfarë do të takohemi? Kurse shton: "E ftoj të vijë në takime me aktivistët, simpatizantët e PD-së, jam i hapur. E ftoj të vijë, ku të dojë si të dojë. Sali Berisha po bën gjithçka për të shpëtuar PD-në”, – tha ai te Syri tv, duke zbutur kështu qëndrimin e tij me një hap të parë për takim me Bashën, por në bazën demokrate.

I pyetur nëse synon rikthimin në krye të PD-së, dhe në këtë post, a e mund dot Edi Ramën, Sali Berisha u shpreh: “Unë po çuditem si pyet? Jashtë çdo lloj diskutimi. Po si fitoi ai (Rama), u përpoq gjithë kohën me fushata negative dhe dështoi. Në 2005, 2009, 2011. Ishte gjeni i negativitetit, i bënte spotet me 1997.

Edi Rama mori modelin tim të premtimit, unë e kam pas premtimin, por unë e mbaja. Edi Rama në vitin 2013 bëri 63 premtime, nga të cilat disa ngjisnin, shëndetësia falas, ngjiti".