Transmetuar më 08-09-2021, 23:19

Dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës PDK janë vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm me armë zjarri që ndodhi sonte në qytetin e Pejës, raporton noa.al.

Sipas konfirmimit nga policia viktima janë kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj.

Policia dhe Prokuroria duke folur për vrasjen e dyfishtë në Pejë thanë se janë informuar rreth orës 20:20 për të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë dy persona kanë mbetur të vrarë, ndërsa një tjetër i plagosur.

“Sonte rreth orës 20:20 afër Shkollës Ekonomike është dyshuar për të shtëna me armë zjarri. Pas kësaj dy persona kanë pësuar lëndime trupore, janë dërguar në spital dhe ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e tyre”, ka bërë të ditur nga policia në Pejë.

Po ashtu edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë, kanë konfirmuar vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri.

“Kanë vdekur dy persona si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dyshohet se është lënduar edhe një person. Prokurori bashkë me policinë është në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.