Transmetuar më 08-09-2021, 23:36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas vrasjës së dyfishtë në Pejë. Kurti ka thënë se kjo është ngjarje tronditëse ku sipas konfirmimit nga policia viktima janë kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj.

Ai i ka shprehur ngushëllime familjeve të të vrarëve, ndërsa ka ftuar organet e rendit që me seriozitet të lartë të zbardhin rastin.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Sonte u tronditëm nga ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin e Pejës. Sipas konfirmimit zyrtar të Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes kanë mbetur të vrarë dy qytetarë të vendit tonë, kandidati për kryetar të komunës së Pejës, A. A., dhe, ish kandidati për kryetar të Deçanit, B. K., të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike.

Ftoj organet e rendit që me seriozitetin më të lartë, sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasje të dyfishtë", përfundon mesazhi i Kurtit.