Transmetuar më 04-09-2021, 14:17

Mbretëria e Bashkuar ka një plan sekret për të menaxhuar vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, duke përfshirë një shërbim përkujtimor me Kryeministrin, ceremoni që duhet të duket "spontane", thuhet në dokumentin e sapozbuluar që publikuan të premten mediat britanike.

Dokumenti përmban detaje të plota të atij që është koduar me emrin Operacioni Ura e Londrës (London Bridge".

Në të parashikohen dhe trazira ndaj në pjesën mbi përgatitjet për gjendjen e krizës, parashihen masa speciale nëse Londra mbushet me vajtues, raporton noa.al duke cituar britaniken The Guardian.

I quajtur "Operacioni LONDON Bridge", plani përshkruan në detaje të hollësishme se çfarë do të ndodhë në 10 ditët e para pas vdekjes së monarkes 95-vjeçare – e cila aktualisht është në gjendje të mirë shëndetësore.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është duke u përgatitur për një krizë, pasi në dokument paralajmërohet se Londra mund të mbingarkohet ose "mbushet" nga shumë njerëz që do të vërshojnë në gjithë qytetin për të mbajtur zi për mbretëreshën, duke shkaktuar kaos me transportin publik, aksesin në ushqim, aftësinë e policisë dhe më shumë telashe akoma.

Për t’iu përgjigjur kësaj situate të mundshme, "Operacioni LONDON BRIDGE" kërkon që të vendoset një perimetër sigurie për të menaxhuar mbipopullimin e mundshëm.

Një skicë e planit tregon gjithashtu se, pas njoftimit zyrtar të Kryeministrit për vdekjen e Mbretëreshës, një shërbim për nder të saj do të mbahet në Katedralen e Shën Palit.

Kryeministri dhe disa ministra kryesorë janë planifikuar të marrin pjesë, por ceremonia thuhet se duhet të duket "spontane", sipas dokumenteve.

Për më tepër, ka plane që kryeministri dhe kabineti i tij të shohin arkivolin e mbretëreshës në stacionin St. Pancras.

Ai bashkë me djalin e mbretëreshës dhe trashëgimtarin e fronit britanik Princi Charles do të shkojnë në një turne në Mbretërinë e Bashkuar në ditët deri në varrimin e Mbretëreshës, me qëllim që Çarli të përgatitet si mbret i Anglisë.

Operacioni LONDON BRIDGE" fillon me atë që quhet "Dita e D", ku disa orë pas vdekjes së Mbretëreshës, do të ndodhë një "lumë thirrjesh" ku kryeministri, sekretari i kabinetit dhe ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë do të paralajmërohen për vdekjen e Mbretëreshës.

Zyra e Këshillit Privy, përgjegjëse për koordinimin e punës mes qeverisë dhe monarkes, gjithashtu do të lëshojë alarmin.

Familja mbretërore do të lëshojë një "njoftim zyrtar" për të paralajmëruar publikun dhe ka skenarë se si zyrtarët duhet të paralajmërojnë të tjerët për lajmin. Për shembull, sekretari i kabinetit do t’u dërgojë email ministrave dhe nëpunësve civilë me këtë tekst të mëposhtëm: "Të dashur kolegë, me pikëllim ju shkruaj për t’ju informuar për vdekjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës."

Ekzistojnë gjithashtu plane që të gjithë flamujt përgjatë rrugës Whitehall të ulen në gjysmështizë 10 minuta pasi të jepet lajmi.

Sa i përket mediave sociale, raporton noa.al duke cituar mediat britanike, “Faqja e internetit e familjes mbretërore do të ndryshojë në një faqe të zezë me një deklaratë të shkurtër që konfirmon vdekjen e mbretëreshës. Faqja e internetit e qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar – GOV.UK – do të shfaqë një flamur të zi në krye. Të gjitha faqet e departamenteve qeveritare në mediat sociale do të tregojnë gjithashtu një flamur të zi dhe do të ndryshojnë fotografitë e profilit të tyre.

Kryeministri do të jetë zyrtari i parë qeveritar që do të bëjë një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes do të organizojë përshëndetjet me armë dhe do të shpallet një minutë heshtje për kombin. Kryeministri pastaj do të takohet me mbretin e ri dhe në orën 6 pasdite, Mbreti Charles "do t’i japë një mesazh kombit".

Gjatë 10 ditëve para funeralit të mbretëreshës, disa plane janë vënë në draft që zyrtarë të ndryshëm të mbajnë zi për mbretëreshën ndërsa arkivoli i saj prehet në Pallatin Buckingham.

Janë disa plane dhe për të siguruar kthimin e Mbretëreshës në Londër nëse ajo vdes në qytete të tjera, të tilla si "Operacioni UNICORN" ku nëse ajo vdes në Skoci, trupi do të transportohet me tren,  ose "Operacioni OVERSTUDY" ku trupi i saj do të udhëtojë me aeroplan.

Ditën e dhjetë, funerali shtetëror për mbretëreshën thuhet se do të mbahet në Westminster Abbey dhe një heshtje prej dy minutash do të mbahet në të gjithë vendin "në mesditë". Procesionet do të ndodhin në Londër dhe Windsor dhe do të ketë një shërbim të mbajtur në Kështjellën Windsor, ku mbretëresha do të varroset në pjesën Përkujtimore të Mbretit George VI. /noa.al